Kërcënimet dhe mungesa e bisedimeve mes palëve të përfshira në konfliktin e ashpër SHBA-Iran, i cili prej më shumë se gjashtë muajsh po merr jetë njerëzish, ka bërë që hakmarrjet mes tyre të prekin anijet me naftë në Ngushticën e Hormuzit, çka ka sjellë pasoja ekonomike në mbarë botën.
Raportohet se çmimi i naftës ka pësuar një rritje të ndjeshme.
Çmimi aktual i naftës:
Bëhet me dije se Huthitët e Jemenit, të mbështetur nga Irani kanë pretenduar se kishin goditur dy anije cisterna saudite nafte në Detin e Kuq në orët e para të kësaj të enjtje.
Vetëm 24 orë pasi njoftoi se po vendoste një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, Huthitët e Jemenit sulmuan dy anije cisterna saudite në Detin e Kuq me dronë dhe raketa.
Nëpërmjet një postimi të ndarë në Telegram u tha se “forcat e armatosura të Jemenit”, pra krahu i saj ushtarak, kanë kryer një operacion të suksesshëm ushtarak që synonte dy anije cisterna saudite të naftës që shkelën bllokadën detare.
Ata shtuan se ishin anijet “Encelia” dhe “Layla”, ndërsa pretenduan se kanëe detyruar që 10 të tjera të ktheheshin prapa.
Nga pala saudite u konfirmua se njëra nga dy anijet është në flakë.
Po ashtu, Zyra e Sigurisë Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), konfirmoi se një anije cisternë u godit nga një lloj "i panjohur" "predhë" në Detin e Kuq , rreth 70 milje detare (130 km) nga porti saudit i Al Suëaiq.
Goditja shkaktoi një zjarr të madh që ekuipazhi po përpiqet ta shuajë, ndërsa nuk dihet akoma nëse ka viktima apo të plagosur nga ngjarja.
Ndërkaq, ushtria amerikane njoftoi sot herët se kishte nisur një seri të re sulmesh kundër Iranit.
“Në orët e para të së enjtes, forcat amerikane filluan të nisnin sulme të reja kundër objektivave ushtarake iraniane”, shkroi CENTCOM në një postim në X.
Sakaq, pasojat e tensioneve në Lindjen e Mesme janë ndjerë menjëherë, pasi mësohet se çmimi Brent u rrit mbi 96 dollarë , niveli më i lartë që nga 8 qershori, ndërsa WTI tregtohej me 88.27 dollarë.
Sakaq prej 2 ditësh, çmimi i naftës në Shqipëri ka shënuar sërish rritje, duke arritur në 206 lekë për litër. Ndërsa akoma nuk dihet nëse për pasojë të tensioneve në Lindjen e Mesme, do të kemi çmime të reja të hidrokarbureve në vend, ashtu siç ndodhi para pak muajsh.


