Pasditen e sotme, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se së shpejti SHBA-të do të kryejnë një sulm ndaj objektit nëntokësor bërthamor të njohur si “Mali Kazmë” në Iran.
CNN raporton se Trump bëri me dije se objektivi ndodhet pranë kompleksit bërthamor të Natanzit, në Iranin qendror, ndërsa shtoi se SHBA-të janë fokusuar te kontrolli i materialeve bërthamore të Iranit.
I pyetur nga gazetarët e huaj, nëse mendon se Teherani ka zhvendosur centrifuga bërthamore në këtë strukturë nëntokësore, presidenti tha se një gjë e tillë “nuk është e regjistruar” nga autoritetet amerikane.
“Nuk ka rëndësi nëse nuk kanë materialin. Ne ndjekim materialin, aty është çështja kryesore”, u shpreh Trump.
Kjo nuk është hera e parë që Trump paralajmëron një sulm ndaj objektit në fjalë.
Javën që lamë pas, presidenti amerikan tha se SHBA-të “ndoshta do ta provojnë Pickaxe-n relativisht shpejt”.
Nga ana tjetër, siç raportuam dhe mëngjesin e sotëm, Trump mësohet të ketë vendosur një tarifë prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, si shenjë hakmarrjeje ndaj asaj që ai e cilësoi si "trajtim të pabarabartë" të makinave, produkteve të qumështit dhe pijeve alkoolike amerikane.
Ndërsa grupi Huthi në Jemen, i mbështetur nga Irani, ka shpallur bllokadën e tij detare ndaj anijeve saudite, një përshkallëzim që mund të rizgjojë një tjetër konflikt rajonal të fjetur dhe të kërcënojë furnizimet globale me naftë.

