Teksa SHBA-të dhe Irani kërcënojnë me bisedimet mes tyre për të arritur një marrëveshje paqeje, Lindja e Mesme është përballur me sulme ajrore gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës e deri në mëngjesin e së enjtes.
Bombardimet ndodhën pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të nisur më shumë sulme, për shkak të zemërimit të tij për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, që nuk ishte hapur ende dhe për shkak të Iranit që godiste anijet që kalonin pikën e mbytjes së naftës.
Edhe pse ishte i pranishëm në samitin e NATO-s, Trump bëri me dije se SHBA-të do të godisnin fort Iranin, në shenjë hakmarrjeje.
Sipas mediave vendase, raportohet të jenë dëgjuar shpërthime në disa porte iraniane, përfshirë këtu: Bushehrin, Bandar Abbasin dhe Sirikun. Garda Revolucionare e Iranit tha se në përgjigje të kësaj ngjarjeje ata shënjestruan bazat ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein .
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kishin goditur afro 90 objektiva ushtarake iraniane në valën e fundit të sulmeve, ndërsa Teherani u përgjigj me sulme ndaj bazave amerikane në rajon.
Sipas deklaratës, operacionet e fundit kishin në shënjestër "sistemet e mbrojtjes ajrore, asetet e mbikëqyrjes bregdetare, objektet e magazinimit të raketave dhe dronëve, aftësitë detare dhe infrastrukturën logjistike ushtarake përgjatë bregdetit të Iranit". Sulmet e reja erdhën rreth 24 orë pas një serie të mëparshme sulmesh të SHBA-së, në të cilat, sipas CENTCOM, u goditën edhe 80 objektiva të tjera ushtarake iraniane.
"Forcat e CENTCOM përfunduan një raund shtesë sulmesh kundër Iranit më 8 korrik për të zvogëluar më tej aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe personelin detar civil të pafajshëm në Ngushticën e Hormuzit", thuhet në deklaratë, e cila u publikua herët sot nëpërmjet X.
According to a release from U.S. Central Command, in the most recent wave of U.S. strikes against Iran in response to the Iranian targeting of commercial shipping, 90 military targets, including military logistics infrastructure, missile and drone storage sites, air defense… pic.twitter.com/c1sRyvbN5H
— OSINTdefender (@sentdefender) July 9, 2026
Ashtu si raportuam dhe pasditen e djeshme, Trump tha se sulmet do të “përkeqësoheshin shumë” nëse Teherani sulmonte përsëri anijet në ngushticë, pasi tha se mendonte që armëpushimi kishte “mbaruar”.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump.
Në një postim në rrjetin social X, Gharibabadi tha se komentet e Trumpit, “nga fyerja e kombit iranian deri te kërcënimet për sulme të mëtejshme”, nuk tregojnë forcë, por sipas tij janë një pranim i dështimit të politikës amerikane të bazuar te sanksionet, presioni dhe kërcënimet. Ai shtoi se kjo qasje nuk ka arritur ta “gjunjëzojë kombin iranian”.
