Franca ditët e fundit është përfshirë nga temperatura të larta, e cila do të vazhdojë të paktën deri më 14 korrik , sipas Shërbimit Meteorologjik Francez. Sa i përket temperaturave sot të enjten, ato pritet të arrijnë 40°C në Nantes dhe Bordeaux dhe midis 35 dhe 38°C në Paris (35°C), Lyon (36°C), Clermont-Ferrand (36°C), Limoges (37°C) dhe Tuluzë (38°C).
Autoritetet Franceze njoftuan se një reaktor në termocentralin bërthamor, të vendosur 90 kilometra nga Tuluza, u mbyll sot për shkak të temperaturave të larta të regjistruara në pellgun e lumit Garonne. Siç thuhet në njoftimin përkatës, kushtet e motit të ditëve të fundit kanë çuar në një rritje të ndjeshme të temperaturës së lumit Garonne, e cila pritet të arrijë 28°C të premten.
Franca duhet të “ripërcaktojë” strategjinë e saj për klimën, thotë një raport i Senatit Francez, duke theksuar se vendi duhet të rishikojë strategjinë e saj ndërkombëtare për klimën për ta bërë atë më “të arritshme” në një kohë kur mbrojtja e klimës po sfidohet seriozisht.
Së fundmi, duke pasur parasysh ndeshjen e sotme të futbollit Francë-Marok në Kupën e Botës dhe festën kombëtare franceze pas pesë ditësh, emergjencat po shumëfishohen në shumë apartamente për shkak të valës së nxehtësisë dhe rreziqeve nga zjarri.
Prefekturat në shumë departamente kanë zgjedhur të ndalojnë fishekzjarrët, shitjen e alkoolit dhe disa ngjarje festive, me qëllim parandalimin e rreziqeve për sigurinë dhe shëndetin që lidhen me nxehtësinë dhe rrezikun e zjarreve.
