Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri gjatë një festivali rrugor në Toronto, Kanada.
Policia bëri të ditur se në vendngjarje u gjetën gjashtë persona të plagosur nga armët e zjarrit, ndërsa dy prej tyre u shpallën të vdekura në vend.
Përmes një konference për shtyp të mbajtur disa orë pas ngjarjes, policia bëri të ditur se të shtënat ndodhën pas një shkëmbimi zjarri mes dy personave. Ndërsa në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu dy armë zjarri.
Deri më tani, policia nuk ka arrestuar asnjë person në lidhje me incidentin, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Zëvendësshefi i Policisë së Torontos, Francisco Barredo, e përshkroi situatën si "shumë kaotike", duke theksuar se në festival ndodheshin rreth 13 mijë persona në momentin kur ndodhën të shtënat.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u shpreh se ishte "i tmerruar" nga ngjarja, duke u shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.
"Jam i tmerruar nga të shtënat e mbrëmshme në festivalin në Toronto. Mendimet e mia janë me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, me të plagosurit dhe me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi", deklaroi Carney.
Edhe kryeministri i Ontarios, Doug Ford, dënoi atë që e quajti "dhunë të pakuptimtë" në festivalin e salsës, duke the konfirmuar se ngjarja "kishte marrë dy jetë dhe kishte plagosur të tjerë".
"Personi përgjegjës duhet të kapet, të nxirret para drejtësisë dhe të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij pas hekurave", shkroi ai në platformën X.
