Rritja e çmimit të karburanteve po i rëndon ndjeshëm xhepat e shqiptarëve, duke sjellë një efekt zinxhir në shumë sektorë të ekonomisë. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin prill u ngjit në 2.8%, niveli më i lartë i dy viteve të fundit.
Transporti është sektori më i goditur, me një rritje prej 8.5% në bazë vjetore, ndërsa vetëm gjatë prillit çmimet u rritën me rreth 1%. Nafta, që në fillim të vitit shitej me 175 lekë për litër, ka arritur tashmë në rreth 200 lekë, duke e bërë më të shtrenjtë çdo lëvizje.
Pas transportit, presioni është ndjerë edhe në qiratë, të cilat janë rritur me 4.7%, si dhe në sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.1%. Rritje të ndjeshme janë regjistruar edhe në sektorin e argëtimit dhe kulturës me 3.7%, ndërsa restorantet dhe hotelet kanë shënuar një rritje prej 2.8%. Ushqimet kanë pësuar një rritje më të lehtë, prej 1.3%, ndërsa grupi i veshjeve dhe këpucëve ka qenë i vetmi që ka shënuar ulje, me një rënie të lehtë prej 0.2%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka paralajmëruar se çmimet e energjisë dhe naftës në tregjet ndërkombëtare pritet të mbajnë inflacionin të lartë edhe gjatë vitit 2026, por pa pasoja afatgjata për ekonominë.
