Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni do të kenë mundësi të marrin dy pensione, një në atdhe edhe një tjetër në vendin ku jetojnë dhe punojnë, kjo pasi atyre sipas një marrëveshjeje të re do t'u njihen vitet e punës.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se kjo marrëveshje është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve pasi mundësojnë që ata të marrin vitet e punës dhe kontributet e derdhura në Shqipëri.
"Këto marrëveshje janë thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, pasi u mundësojnë atyre që vitet e punës dhe kontributet e derdhura në Shqipëri dhe në shtete të tjera të njihen për përfitimin e pensioneve dhe të drejtave të tjera të sigurimeve shoqërore", tha Ibrahimaj.
Kjo marrëveshje vjen pas asaj që Qeveria e Shqipërisë pati me Poloninë dhe ka përpjekje për negociata me Holandën, Finlandën, Moldavinë, Australinë, Norvegjinë apo Suedinë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit gjatë deklaratës për shtyp përmendi marrëveshjen me Italinë duke e theksuar si një hap të rëndësishëm pasi numri i emigrantëve në Itali është shumë i lartë.
“Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur. Ne, siç e dini, gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë, që është më e rëndësishmja, pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë. Nga marrëveshjet e nënshkruara deri më tani kanë përfituar rreth 20 mijë shqiptarë, të cilëve u janë njohur vitet e punës dhe kontributet shoqërore. Aktualisht, në proces janë edhe katër marrëveshje të tjera”, u shpreh ministrja.
