Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha është takuar në Uashington me Zëvendës Sekretarin e Shtetit, Christopher Landau dhe me Nën Sekretaren Alison Hooker, në margjinat e Ministerialit mbi Rikthimin e Terrorizmit Politik.
Me dy zyrtarët e lartë të DASH, ministri Hoxha diskutoi një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe partnerit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton ministria.
"Së bashku me Zëvendës Sekretarin Landau, dhe gjatë një takimi më të thelluar me Nënsekretaren Alison Hooker, diskutuam një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë me partnerin dhe Aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe riafirmuam angazhimin e përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë", shkroi Hoxha në X.
Shefi i diplomacisë shqiptare Ferit Hoxha shtoi se diskutimet nënvizuan gjithashtu lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një miqësi e rrënjosur në vlera të përbashkëta dhe përforcuar nga dekada të tëra partneriteti të fortë.
Ky partneritet sipas tij, mbështetet nga një angazhim i palëkundur për lirinë, demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin.
