Ervis Rapaj zbulon se dhe ai ka qenë pjesë e kastit muzikor që ka punuar për filmin hollivudian "Odisea" (The Odyssey), me regji nga Christopher Nolan. Klarinetisti i njohur përmetar thotë se ka interpretuar kabanë shqiptare dhe falenderon kompozitorin fitues të OSCAR, Ludwig Göransson, për mundësinë.
Ai ka publikuar në llogarinë e tij edhe disa fotografi nga një drekë me kompozitorin, i cili është frymëzuar nga polifonia shqiptare, ndaj vendosi të mos ndërtonte kolonën zanore mbi një orkestër klasike simfonike, por të kërkonte tinguj autentikë që t’i afroheshin sa më shumë botës së lashtë.
"Isha i nderuar të interpretoja kabanë shqiptare dhe të punoja pranë kompozitorit të jashtëzakonshëm Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tona tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një produksioni të madh botëror.
Faleminderit, Ludwig, që më përzgjodhe të isha pjesë e këtij projekti kaq të veçantë. Të uroj edhe shumë suksese në krijimtarinë tënde artistike! Krenar dhe shpresoj që një copëz e shpirtit të muzikës shqiptare të dëgjohet në mbarë botën. Faleminderit me zemër", shkruan Ervis Rapaj.
Kompozitor fitues i Oscar-it erdhi në Shqipëri për të regjistruar polifoninë tonë dhe instrumentet tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit.
Veç Ervis Rapaj, në muzikën e filmit "Odisea" janë përfshirë edhe studiuesi Vasil Tole dhe mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Mjeshtër i Madh Vendim Kapaj.
Tani që premiera e filmit madhështor "Odisea" është mbajtur, studiuesi Vasil Tole ka shprehur falenderim për kompozitorin e muzikës së këtij filmi, Ludwig Goranson, i cili e ka bërë pjesë të grupit të ekspertëve të muzikës.
Edhe mjeshtri vlonjat Vendim Kapaj është shprehur në media se pjesëmarrja në këtë produksion nuk është vetëm një sukses personal, por edhe një moment krenarie për kulturën shqiptare, pasi tingujt e Labërisë dhe iso-polifonia shqiptare tashmë dëgjohen në kolonën zanore të një prej filmave më të mëdhenj të Hollivudit.
© Newsbomb.al

