Nga Rezarta Delisula
Flet nipi: Ai ka ndërtuar Tiranën, i takon që një rrugë të marri emrin e tij
Ai është pjesë e një historie të gjatë në shtetin shqiptar që prej 1912-s, por pa një varr ku të ndalesh, një pllakë mermeri ku është gdhendur emri i tij, një vend ku familjarët të përkulen në heshtje. I torturuar dhe i lënë në mëshirë të fatit, ai mbylli sytë në qelitë e Burgut të Burrelit ndërsa rrëgjimi nuk u mjaftua vetëm me dënimin e tij por e dënoi dhe kujtesën. Kjo është historia e Koço Kota-s, dy herë kryeministër i Shqipërisë në vitet ‘20-’30 treguar për revistën NewsBomb nga nipi i tij Harallamb Kota.
Koço Kota mund të konsiderohet pa asnjë ngurrim si një ndër njerëzit shtetbërës të Shqipërisë pas Pavarësisë, pasi vlerat dhe kontributi i tij në historinë e shtetit shqiptar janë të padiskutueshme. Ai lindi më 5 maj të vitit 1886 në qytetin e Korçës. Kota-t ishin familje e madhe shqiptare dhe përfaqësonin borgjezinë tregtare në Tiranë, Korçë, Berat deri në Aleksandri të Egjiptit. I dalluar në shkollë, ai vijoi studimet në Athinë paralelisht në tre degë për Shkenca Sociale e Politike, Administrim Shteti dhe Mësues.
“Me një kohëzgjatje, kuptohet, sepse kur Ismail Qemali shkoi në universitetin e Athinës dhe takoi studentët shqiptarë atje më 1908, i porositi që krahas fakultetit kryesor që po studionin të vijonin dhe për Mësuesi dhe Administrim Shteti, sepse vetëm kështu mund të bëhej Shqipëria. Bashkë me shokun e tij Thoma Orolloga ata i kryen me sukses madje shteti grek i kërkoi Koço Kotës të punonte për ta pasi njihte 5 gjuhë të huaja por ai e ka të dokumentuar që u ka thënë; “Unë do shkoj në Korçë, në Shqipërinë time, t’ju mësoj gjuhën shqipe dhe të shkruarit dhe të folurit shqip fëmijëve shqiptarë në Korçë”- tregon Harallamb Kota.
I lindur në një familje patriotike Harallambi na tregon se xhaxhai i ish-kryeministrit, avokat Vasil Kota ka qenë përkrahës i priftërinjve shqiptarë në Korçë, përballë priftërinjve grekë, sepse këta të fundit synonin greqizimin e kishës shqiptare. Nën gjurmët e tij eci dhe Koço Kota. Kur ishte prefekt i Beratit në atë qytet më 1922 u bë Kongresi i Autoqefalisë së Kishës Shqiptare Ortodokse dhe sigurisht që ai e përkrahu këtë akt, por historia e ka anashkaluar duke shkruar se; fjalimi u mbajt nga zëvendës prefekti.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 59-të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg që prej ditës së djeshme, datë 20 Korrik dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
