Tashmë vetëm pak orë na ndajnë nga fillimi i “Festivalit të Pranverës” në RTSH, e tashmë ethet e garës kanë përfshirë jo vetëm artistët konkurrues por edhe stafin organizativ.
Njëzet këngëtarët pjesëmarrës do të ngjiten në skenë mbrëmjen e sotme, në një spektakël ku nuk do të mungojnë surprizat dhe të ftuarit specialë, që do të sjellin një ndërthurje të nostalgjisë me frymën bashkëkohore të festivalit.
Vlerësimi i artistëve do të bëhet përmes dy paneleve paralele. Paneli i jurisë Profesioniste, i cili është i përbërë nga emra mjaft të njohur në fushën e artit: Ledina Çelo, Kejsi Tola, Kamela Islamaj, Markelian Kapidani dhe Eriona Rushiti.
Ndërsa krahas saj do të funksionojë edhe juria e “Pranverës Digjitale”, e cila përfshin figura nga bota e artit, marketingut, biznesit dhe moderimit: Sarah Berisha – Influencer/Sipërmarrëse, Amos Zaharia – Aktor, Krista Merkoçi – Menaxhere Marketing & Shitje, Arjon Muça – Moderator, Rizarta Hoxha – Moderatore/Influencer.
Bashkëprezantues të këtij spektakli do të jenë Bleona Qerreti dhe Nik Xhelilaj, ndërsa 20 këngëtarët pjesëmarrës dhe këngët me të cilat ata konkurrojnë janë:
Akullthyesit-Maratonomak
Alban Çuku-Do jepem i tërë
Alegra Jaho-Pasqyrë
Algert Sala-Çeli
Arsi Bako-Humb
Boni Hamzallari-Hija jote
Drina Sheu-Dashni e vjetër
Enxhi Kumrija-Rruga jote
Erand Sojli-Gjahtarja e yjeve
Flavia Zere-sekret
Frensi Revania-Më lër
Herva Novaku-Zemër në dy hapa
Jet-Në derë do t’i qaj
Kejsi Jazxhi-Veten çliro
Martina Serreqi-E fortë por edhe vuj
Niki Zaimi-Nuk ndalem
Peter Pan Quartet-Armik
Vesa Kelmendi-Mangupi
Voltan Prodani-Më merr kjo dashuri
Xhon Jesku-Veç për ty
Për përcaktimin e këngës fituese vendimi përfundimtar do të merret ekskluzivisht nga vlerësimi i kombinuar i të dyja jurive, sipas një formule të paracaktuar që i jep përparësi aspektit teknik dhe atij profesional.
Formula e vlerësimit do të jetë e ndarë në këtë raport: 60% e peshës së votës do t’i takojë Jurisë Profesionale, 40% e peshës së votës do t’i takojë Jurisë “Pranvera Digjitale”.
