Sot ka pasur një debat mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama. Deputeti Agron Shehaj publikoi një video ku akuzoi Ramën për korrupsion dhe e kritikoi për udhëtimet e tij jashtë vendit. Shehaj tha se kryeministri i shmanget revoltës së qytetarëve dhe shfaqet në Kuvend vetëm për interesa të pushtetit, duke e akuzuar se ka drejtuar qeveri të korruptuara.
Edhe deputeti Erald Kapri reagoi duke thënë se Rama mund të përfundojë i rrëzuar nga pushteti dhe i përbuzur nga shqiptarët, duke e krahasuar me fundin e Ramiz Alisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka zgjedhur të reagojë me një postim në Facebook. Ai ka publikuar një video nga diskutimet në Kuvend, ku në sfond ka vendosur një këngë me tekstin “Dy ballista në një portë, dale-dale, njëri korbë dhe tjetri sorrë dale-dale”.
Postimin e ka shoqëruar me një koment ironik ku thotë se Mit’hat Frashëri “do të rrotullohej në varr” me këta që i quan karagjozë, duke shtuar se duhet të shijojnë Tiranën e bukur dhe të mos merren me “ulëritësit e rrugëve”.
Shkruan Rama:
Kushedi si rrotullohet në varr i ndjeri Mit’hat Frashëri me këta karagjozë të dalë nga koteci i kokës. Natën natën, dhe shijojeni me kë ju do qejfi nëpër Tiranën e bukur e mos e çani kokën për ulëritësit e rrugëve, se aq u mban koteci të shkretëve!
