Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën 18 Qershor për të shqyrtuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili në vazhdimësi kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar të dalë nga izolimi dhe privimi i lirisë.
Kjo është hera e disatë që Ilir Meta kërkon të dalë nga qelia, madje më parë ka lënë garanci pasurore, por ato nuk janë marrë parasysh. Nuk dihet se përse seanca e sotme nuk është mbajtur dhe është shtyrë për më 18 Qershor.
Pak ditë më parë, ai humbi babain dhe SPAK i dha për dy ditë me radhë, disa orë liri, në mënyrë që t'i jepte lamtumirën e fundit në varrezat e vendlindjes, në Çepan të Skraparit, dhe të nesër të priste ngushëllime nga miq, bashkëpunëtorë politikë dhe qytetarë të shumtë në Tiranë.
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme vendosi në 18 Mars që të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të tij, ish bashkëshortes Monika Kryemadhi, nënës së kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ish-presidenti po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Aktualisht SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
