Kryeministri Edi Rama është filmuar mëngjesin e kësaj të diele në aeroportin e Bazelit. Në pamjet e siguruara, Rama shihet duke ecur në ambientet e aeroportit, i shoqëruar nga një efektiv policie.
Prania e tij në Bazel përkon me zhvillimin e Art Basel, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në nivel botëror, ku kreu i qeverisë shqiptare është pjesë e programit zyrtar.
Udhëtimi i Ramës zhvillohet ndërsa në Shqipëri protestat kundër qeverisë së tij kanë hyrë në javën e tretë. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë në kundërshtim të projektit të investimit në Zvërnec, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe rishikimin e vendimmarrjeve që lidhen me këtë projekt.
Sipas programit zyrtar të Art Basel, Rama është përfshirë në seksionin publik “Parcours” me veprën e tij artistike të titulluar “Societe A”. Bëhet fjalë për një skulpturë monumentale të realizuar mbi bazën e vizatimeve dhe skicave që ai ka krijuar gjatë ushtrimit të detyrës si Kryeministër, shpesh mbi dokumente zyrtare qeveritare.
Organizatorët e ekspozitës e përshkruajnë veprën si një ndërthurje mes jetës politike dhe praktikës artistike, ku vizatimet e realizuara gjatë mbledhjeve, takimeve dhe proceseve të punës shndërrohen në një objekt skulpturor me përmasa të mëdha.
Projekti artistik i Ramës bazohet në një proces që nis nga skicat e vizatuara me dorë, vijon me modelimin përmes printimit 3D dhe përfundon me derdhjen në bronz. Rezultati është një strukturë biomorfike mbi dy metra e lartë, e konceptuar si një hapësirë e hapur takimi dhe ndërveprimi publik.

Skulptura është vendosur në kuadër të ekspozitës Parcours, ndërsa pranë saj prezantohen edhe një sërë vizatimesh origjinale të realizuara nga Rama në dokumente zyrtare, kalendarë pune dhe materiale të tjera të përdorura gjatë aktivitetit të tij institucional.
