Psikologia Brunilda Laboviti, e cila pretendon drejtimin e Urdhrit të Psikologut, i ka shkruar kryeministrit Edi Rama dhe e akuzon këtë të fundit se qeverisja e tij është e korruptuar dhe si e tillë, ka korruptuar edhe hallkat e tjera të sistemit.
Në këtë periudhë protestash me qytetarë të pakënaqur nga qeverisja e Edi Ramës, kryeministri akuzohet edhe për kapjen që psikologia tjetër Valbona Treska i ka bërë urdhrit, prej disa vitesh.
"Zoti Kryeministër, Fytyra e qeverisjes tuaj të korruptuar nuk ka lënë pa i shtrirë tentakulat edhe në Urdhrat Profesionale. Në Urdhrin e Psikologut prej 10 vjetësh është në krye Valbona Treska, e cila është e lidhur me qeverisjen tuaj. Pasi ky Urdhër iu bë dhuratë në vitin 2017, ky individ hodhi rrënjë në këtë Urdhër dhe, pasi i mbaruan mandatet, nuk e dorëzoi atë. Kur u zgjodh drejtuesi i ri i Urdhrit, nuk pranoi të dorëzonte detyrën dhe sot e kemi prej mbi një viti e gjysmë jashtë mandati, jo vetëm atë, por edhe Këshillin Kombëtar", shkruan Brunilda Laboviti.
Duke bërë një krahasim me kërkesat e përnatshme të protestueve nën zyrën e tij, psikologia i thotë Edi Ramës se këmbëngulja e tij për të mos dhënë dorëheqjen është një "deja vu" që po zhvillohet edhe të Urdhri i Psikologut, ku Valbona Treska rezufon të lërë karrigen.
Brunilda Laboviti kërkon që kryeministri të japë dorëheqjen, sepse sipas saj, largimi i tij do të rregullonte një sistem të tërë, që në qeverisjen 13 vjeçare të socialistëve është shpërfytyruar në formën më të keqe të mundshme.
"Madje, e gjithë kjo situatë e sotme, këmbëngulja juaj për të mos dhënë dorëheqjen, më duket déjà vu, pasi prej kohësh e shohim në Urdhrin e Psikologut. Madje, për situatën tonë profesionale janë në dijeni edhe ministrat dhe titullarët kryesorë, deri te Zv. Kryeministrja, pasi kanë përfaqësuesit e tyre në Urdhër dhe nuk lëvizin as gishtin për të rregulluar problemin. Madje, edhe një vit më parë ju drejtova përsëri me një letër publike.
Por për ju 1500 psikologë nuk janë asgjë përpara një personi. Prandaj, dorëheqja juaj do të rregullonte një sistem të tërë, që në qeverisjen tuaj 13-vjeçare është shpërfytyruar në formën më të keqe të mundshme. Dhe, meqë nuk dini ku jeni, ajo që duhet të bëni është të largoheni. Jepni dorëheqjen", përmbyll ajo.

