Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi janë përplasur me njëri-tjetrin në seancën gjyqësore të kësaj të mërkure, për shkak të fakteve penale në dosjen hetimore të përgatitur nga prokurorët e SPAK.
Kreu i Partisë së Lirisë është shprehur se ai nuk ka ndikuar politikisht gjatë kohës që ka qenë në detyrë për asnjë nga personat e përmendur në dosje, duke përfshirë biznesmenin Adrian Shatku apo dhe kushërirën e tij, ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi.
"Nuk ekziston asnjë lloj ndikimi politik i ligjshëm, as për Adrian Shatkun, as për çdo person tjetër. Asnjë sms e Ilir Metës, as e Monikës, as për Shatkun, as për Pirro Xhixhon, as për dreqin. Të gjitha janë shpifje. Nuk ekziston asnjë mesazh. Kjo është histori grekësh. Shatku duhet të vinte këtu të sqaronte çdo gjë. Por është arratisur nga Shqipëria.
Kjo është histori e sajuar nga grekë kundër Ilir Metës. Jam rrëmbyer nga kjo histori mashtrimi. Nuk ekziston asnjë ndërhyrje imja. As për veprimet e Monikës s’kam ndërhyrje, i di vetë ajo veprimet e saj. Ato historitë do kishin ardhur te unë", është shprehur Ilir Meta.
Mirëpo, sjellja dhe diskursi i ish-presidentit nuk i ka pëlqyer ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, e cila ka shëprthyer ashpër ndaj Ilir Metës, duke i thënë në mes të sallës së gjyqit se deklaratat e tij janë thashetheme të prokurorit Altin Dumani.
"Me llafet që të sjellë Altin Dumani, thashetheme flet këtu?! Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?", ju drejtua Monika Kryemadhi ish-bashkëshortit, ndërsa trupa e Gjykatës së Posaçme i tërhoqi vëmendjen.
"Kam 4 vjet që e dëgjoj. Edhe babai im të çohet nga varri nuk e duroj dot më", vijoi Monika, duke ashpërsuar tonet ndaj ish-bashkëshortit që ndodhej në kafazin e qelqtë.
Menjëherë, kryetarja e trupës gjykuese ndërhyri sërish duke paralajmëruar se do e nxirrte nga salla Kryemadhin. "Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni do largoheni nga seanca", tha gjyqtarja.
