Deputetja Marjana Koçeku i ka shkruar sot gjerë e gjatë Edi Ramës, duke e nisur me protestën që zhvillohet prej 22 ditësh nën zyrën e tij dhe e mbylli me një përgjigje për të parin e socialistëve, pasi kur ka vendosur të largohej nga PS-ja, ai i ka shkruar një mesazh.
Ajo thotë se pakënaqësia që është ngritur në popull, është shumë e madhe dhe nuk shembet më, ndaj sipas saj, Edi Rama duhet të dëgjojë thirrjen që i brohorasin çdo mbrëmje, për largim.
"Hymja jeme në politikë ka qenë nji vendim që më mori kohë për me e gjet guximin që ta bajsha atë hap, por largimi nga formacioni që ju keni ndërtue dhe që sot ndodhet në nji dehje të thellë pushteti, më kërkoi edhe ma shumë kohë derisa gjeta guximin për me e realizue", shkruan Marjana Koçeku.
Teksa tregon për vendimin e vështirë për t'ju futur politikës nën siglën e Partisë Socialiste, ajo zbulon edhe situatën në Grupin Parlamentar të kësaj force politike, e cila drejton vendin prej 13 vitesh. Sipas Marjana Koçekut, drejtuesit nuk lejojnë as më të voglin mendim ndryshe.
"Për ata që pyesin pse nuk fola ma herët, përgjigjja nuk kërkon shumë kohë. Drejtuesit e grupit që lashë pas nuk e pranonin mendimin ndryshe, as debatin, as ndjeshmëninë morale. Madje ata me çdo mjet përpiqen t’ia marrin frymën edhe tentativës ma të vogël për me qenë ndryshe, a me mendim të lirë", shkruan deputetja e larguar nga PS.
Marjana Koçeku e paralajmëron Edi Ramën se situata në Parinë Socialiste nuk është ashtu siç duket apo ashtu siç atij i përcillet, sepse, sipas saj, edhe vetë socialistët e kanë humbur besimin tek ai dhe këtë ajo e ka parë vetë. Ajo madje tregon se shumë shpejt, nga radhët e PS do të ketë rebelime të reja.
"Si deputete e kam pa nga afër dhe jam e bindun se edhe nji pjesë e madhe e elitës politike nuk ka ma besim te ju, por guximi për me u rrëfye dhe për me veprue mund të lypin edhe pak kohë.
Njerëzit munden me rrokë nji ideologji të caktueme në masën që ajo u garanton nji perspektivë individuale dhe nji siguri kolektive. Sot n’Shqipni të dyja këto po çalojnë thellësisht", thekson ajo në reagim.

