Menjëherë pas rikthimit nga një pushim pesë minutësh kryetari i seancës Niko Peleshi, është detyruar të kërkojë edhe 15 minuta të tjera ndërprerje, për shkak të përplasjeve të forta në sallë.
Shkak u bë bllokimi i foltores nga deputetët e opozitës, të cilët krijuan një kordon përpara saj, duke mos lejuar ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha të mbante fjalën e tij.
Në sallë nuk munguan debatet dhe replikat e ashpra. Në përpjekje për të rikthyer qetësinë dhe për të vijuar normalisht punimet, Peleshi u shpreh: “Kërkova 5 minuta që të qetësoheshit, të meditonit. Ju lutem, mos ma drejtoni gishtin. Mua gishtin mos ma drejto. Zoti Noka, seanca nuk është arenë gladiatorësh. Turpin mos ma trego mua.”
Nga ana tjetër deputeti Klevis Balliu iu drejtua me tone të larta kryesuesit të seancës, duke i thënë: “Kush je ti? Kush je ti?”
Për shkak të situatës së krijuar dhe pamundësisë për të vijuar normalisht diskutimet, Peleshi u detyrua të ndërpresë sërish seancën, duke shpallur një pushim prej 15 minutash.
