Pas mbylljes së fjalës së kreut të grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla i cili tha se qytetarët i vodhën sheshin Sali Berishës i cili të hënave realizonte foltoren para Kryeministrisë, demokratët janë ngritur duke bllokuar foltoren e Kuvendit.
“Nëse ka një fitore të këtyre protestave që është pikërisht fakti që protestat janë paqësore pa molotovë, pa fishekzjarre, pa dhunë e mbi të gjitha ia morën sheshit atij. Të hënë për të hënë me krushqit prej 40 vetash, ta morën Sali. Humbësi më i madh je ti Sali.
Përpjekja jote për të dërguar deputetët tuaj atje vjedhurazi. Sa i përket amendamentit të 17 të propozuar nga deputetët e gjelbër. Ju keni votuar kundër në Parlamentin Europian, sepse partia ku bëni pjesë votoi kundra” tha Balla në fjalën e tij.
Menjëherë pas mbylljes së fjalës së Ballës, demokratët u ngritën nga karriget dhe me tone të larta kërkuan të replikonin sërish. Por kryeparlamentari Niko Peleshi theksoi se nuk bëhet replikë pas replike.
Refuzimi për t’i dhënë fjalën njërit prej demokratëve shkaktoi irritim të opozitës, të cilët u afruan pranë foltores ku ndodhej socialisti Ardit Bido duke e penguar të mbante fjalën.
Pas këmbënguljes për të pasur radhën e replikës, kryeparlamentari Peleshi tha se Bido nuk mund të flasë në këtë mënyrë ndaj kërkoi që të bëhej 5 minuta pushim.

