Mesditën e kësaj të shtune Kuvendi Kombëtar i Protestës zhvilloi ditën e parë të punimeve. I lindur nga protestat që organizatorët i kanë pagëzuar si "Revolucioni i Flamingove", ky Kuvend u mblodh me synimin për të diskutuar hapat që do të ndiqen për arritjen e objektivit të tyre kryesor, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Megjithatë, "harmonia" dhe uniteti që protestuesit kanë promovuar prej javësh në shesh duket se mbetën më shumë slogan sesa realitet. Ende pa nisur mirë diskutimet, mbledhja u shoqërua me debate, kundërshti dhe momente tensioni, duke ofruar një panoramë krejt tjetër nga ajo e bashkimit që është servirur deri më tani.
Në ditën e 49-të të protestës, e cila vijon që prej 31 majit, organizatorët prezantuan krijimin e Kuvendit të Parë Kombëtar Qytetar, me një përfaqësi prej rreth 300 pjesëmarrësish. Por jo të gjithë e panë këtë strukturë si përfaqësuese të protestuesve. Disa prej të pranishmëve kundërshtuan mënyrën e organizimit të Kuvendit si dhe përzgjedhjen e personave që morën pjesë në të.
Një nga episodet që tërhoqi më shumë vëmendje pati si protagonist ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Selami Jenisherin.
Jenisheri hyri në sallë dhe u ul në rreshtat e parë, aty ku ishin vendosur organizatorët e Kuvendit. Kjo solli reagimin e tyre, të cilët kërkuan ndërhyrjen e rojeve të sigurisë për ta larguar nga ajo zonë.
Gjatë momentit të tensionit, Jenisheri dëgjohet duke iu drejtuar personave që tentonin ta largonin me fjalët: "Mos më kap, ore mos më kap se të çoj në polici unë."
Pas disa minutash debat, situata u qetësua. Ish-deputeti u rikthye në sallë, këtë herë duke pranuar të ulej në rreshtat e fundit, prej nga vijoi të ndiqte punimet e Kuvendit.
