Një 32 vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Vlorës teksa lëvizte i armatosur në qytet. Pas informacioneve se shtetasi E.M lëvizte i armatosur, shërbimet organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Siguria".
Si rezultat i operacionit, në lagjen "Lef Sallata", u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi të Vlorës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra me 22 fishekë luftarakë,
Gjithashtu, 32 vjeçari kishte me vete edhe një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë ekstra, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Në këto kushte, shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi të Vlorës, u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë në qytetin bregdetar dhe është dërguar në paraburgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës".
