Deputeti i Partisë "Mundësia", Erald Kapri, ka postuar një video në rrjetet sociale duke treguar protestuesin Niko Qerkja në autoambulancë. Prej paradites së sotme, ai është transportuar në QSUT, pa ditur ende shkaqet zyrtare te marrjes nga paraburgimi në Komisariatin Numër 3.
Avokati i tij, Gentian Serjani doli me një deklaratë duke thënë se klienti i tij është dhunuar brenda ambienteve ku ai mbahet në pritje të masës së sigurisë nga togat e zeza. E pikërisht këtë e konfirmon edhe vetë Qerkja nga ambulanca. Ai tregon shenjat e dhunës në këmbë, ndërsa thotë: "Shqiponjat m'i kanë bërë. Jam dhunuar".
Arrestimi i tij prej protestës të së enjtjes është në qendër të vëmendjes për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Në rrugë jozyrtare raportohet se vuan nga epilepsia, sëmundje të cilën e ka shfaqur edhe në ambientet e paraburgimit ku ai mbahet i izoluar deri në daljen në gjyq për masën e sigurisë.
