Eglant Koçi është shpallur zyrtarisht i vdekur. Analiza e ADN-së së kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka konfirmuar se trupi që u gjet fshatin Cërruje, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, i përket të riut që u vra nga shoku i ngushtë.
Hetuesit kanë marrë një mostër nga nëna e Eglantit dhe pasi kanë bërë të gjitha analizat e nevojshme, kanë mundur të konfirmojnë, fatkeqësisht, se trupi është i 34 vjeçarit që u vra nga shtetasi Armand Shakaj.
Familja Koçi është njoftuar për rezultatet e ADN-së dhe pritet që të paraqiten në ambientet e IML-së së Tiranës, për të tërhequr trupin e Eglantit, dhe për ta përcjellë atë për në banesën e fundit, përgjithmonë.
Eglant Koçi u pa për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motomjet. Nga pamjet e publikuara edhe nga Newsbomb.al i riu shihej edhe në një servis automjetesh, vetëm pak orë para se të humbte çdo kontakt me familjarët.
Një ditë më vonë, më 5 qershor familjarët denoncuan zhdukjen e tij në polici, duke vënë në lëvizje autoritetet.
Gjatë ditëve në vijim, agjentët e Krimeve të Rënda arritën të gjenin motomjetin e 34-vjeçarit pranë zonës së “5 Majit”, ndërsa më pas identifikuan edhe ambientin ku ai dyshohet se ishte dërguar pas rrëmbimit.
Mirëpo sipas hetuesve, nga ambienti ku është futur Eglant Koçi, më vonë ka dalë vetëm autori i dyshuar Armand Shakaj, i njohur ndryshe si “Mand Dhelpra”. Ai e ka ekzekutuar 34 vjeçarin dhe trupin e tij e ka futur në një çantë të zezë, të cilën më pas e ka hedhur në një humnerë në fshatin Cërruje.
Policia ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin Armand Shakaj, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së të riut, mikut të tij. Hetuesit po verifikojnë nëse ai ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.
