Ambasada e Izraelit në Shqipëri ka ndarë pamje nga rivendosja e flamurit kombëtar në godinën e selisë diplomatike në kryeqytet, pak ditë pasi ai u hoq nga një vajzë, që pretendohet se ishte mes protestuesve.
"Flamuri izraelit simbolizon historinë, qëndrueshmërinë dhe shpresat e popullit hebre", thuhet në mesazhin e ambasadës.
Ngjarja prodhoi reagime të shumta, qoftë nga klasa politike, por edhe në opinionin publik, ndërsa protestuesit qytetarë u distancuan nga akti duke deklaruar se vajza që u ngjit në murin e ambasadës dhe hoqi flamurin, ishte provokatore.
Megjithatë, siç duket selia diplomatike e Izraelit në Tiranë e ka harrur këtë incident dhe sot flet me mirënjohje dhe respekt për popullin shqiptar, i cili gjatë Holokaustit mbrojti hebrenjtë.
"Jemi veçanërisht krenarë që e ngremë atë në Shqipëri, një vend ku mbrojtja e guximshme e hebrenjve gjatë Holokaustit krijoi një lidhje të qëndrueshme midis popujve tanë dhe mbetet një burim mirënjohjeje dhe respekti të thellë", thuhet në reagim.
