Dy pasagjere të autobusit Berat-Tiranë, që u përplas më 30 qershor në autostradë, janë transferuar drejt Greqisë për trajtim të specializuar, për shkak të plagëve të rënda që kanë pësuar.
Bëhet fjalë për Floresha Lazaj, 51 vjeçe, dhe vajzën e saj, Oriada Lazaj, 27 vjeçe. Të dyja kanë humbur nga një këmbë, ndërsa e reja ka dëmtime të rënda edhe në këmbën tjetër, e cila rrezikon të mos shpëtojë pa ndërhyrje urgjente. Përveç kësaj, 27-vjeçarja ka fraktura në zonën e kofshës dhe të legenit, duke e bërë të domosdoshëm trajtimin jashtë vendit, raporton Top Channel.
Familjarët kanë shpjeguar se vendimi për t’i dërguar në Greqi u mor për shkak të nevojës për ndërhyrje të avancuara që nuk mund të realizohen në Shqipëri.
“Fatmirësisht e kaluan rrezikun për jetën, por gjendja e tyre është shumë e rëndë dhe kërkohen ndërhyrje të shumta për të trajtuar traumat dhe frakturat. Apeli ynë është për ndihmë, pasi mundësitë tona janë të kufizuara. Ato nuk do të kenë më kurrë mundësi për një jetë normale si më parë, por të paktën të kurohen plagët e shumta.”, shprehen familjarët.

