Avokati i Popullit, Endrit Shabani ngriti sot publikisht çështjen e fëmijëve në situatë rruge në kryeqytet, fëmijë që sipas tij duhej të ishin në shkollë, por gjenden duke rrezikuar jetën duke u varur tek xhamat e makinave, vetëm pak metra larg Kuvendit.
Shqetësimi u shpreh gjatë një inspektimi në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, ku institucioni mban aktualisht 39 fëmijë.
"Këta fëmijë janë braktisur dy herë. Herën e parë nga ata që kishin përgjegjësinë natyrore për t'u kujdesur. Herën e dytë nga institucionet që paguhen me taksat tona, pikërisht për t'i mbrojtur këta fëmijë nga ata që i shfrytëzojnë. Fakti që këta fëmijë janë edhe dy minuta larg Parlamentit tregon një mungesë të theksuar të punës nga institucionet: bashkia, policia, prokuroria", tha Endrit Shabani.
Avokati i Popullit deklaroi se zgjidhja e çështjes së fëmijëve në situatë rruge është një nga objektivat kryesore të Seksionit të të Drejtave të Fëmijëve tek Avokati i Popullit. Për vitin 2026 Institucioni do të monitorojë që secili institucion përgjegjës të kryejë detyrën që i ngarkon ligji. Avokati i Popullit kërkon nga institucionet përgjegjëse:
1. Bashkia e Tiranës të aktivizojë menjëherë Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve për identifikimin dhe regjistrimin e çdo fëmije në rrugë.
2. Policia e Shtetit të ndërhyjë për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziku në trafik dhe nga shfrytëzimi. 3. Prokuroria të hetojë çdo rast shfrytëzimi apo trafikimi të fëmijëve të braktisur në rrugë.
Gjatë vizitës, Avokati i Popullit ngriti gjithashtu shqetësimin për fazën tranzitore të transferimit të fëmijëve nga "Zyber Hallulli" drejt një godine të re, duke kërkuar që procesi të garantojë interesin më të lartë të fëmijës.
Shërbimi Social Shtetëror informoi se transferimi do të jetë i përkohshëm dhe i monitoruar me një plan masash deri në përfundimin e godinës së re. Kurse, komisionerja për Çështjet e Fëmijëve, Alma Faskaj, theksoi se inspektimet në qendrat ku mbahen fëmijët do të vijojnë.
"Erdhëm për të parë standardet e qëndrimit dinjitoz në qendrat rezidenciale. Kjo ishte vizita e parë dhe do të pasohet nga inspektime të tjera,”-tha Faskaj.
Në përfundim, drejtuesja e kësaj shtëpie, tregoi se sfida kryesore ngelet integrimi i këtyre fëmijëve në shoqëri.
"Ne i prezantuam punën tonë në kujdesin e fëmijëve pa kujdes prindëror dhe sfidën tonë më të madhe: integrimin e fëmijëve në shoqëri. Fëmijët në rrugë janë jashtë sistemit, pa shkollë, pa kujdes mjekësor dhe të rrezikuar nga kequshqyerja apo trafikimi",-tha Valbona Imeraj, drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve "Zyber Hallulli".
