Administratorja e kompanisë “SORI.AL”, Alma Tafani ka dhënë deklaratën e saj para efektivëve të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë lidhur me ngjarjen e fundit, ku 64 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e shërbyer në institucion.
Tafani e cila administron kompaninë që furnizon Akademinë me ushqim, ka deklaruar se shpërndarja e vakteve është kryer në kushte higjienike dhe se furnizimi është realizuar në përputhje me kontratën në fuqi me institucionin.
“Kemi shpërndarë ushqimin në kushte higjenike. Kemi bërë furnizimin me ushqim sipas kontratës”, mësohet te ketë thënë ajo .
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe kuzhinieri, punonjësit që kanë përgatitur dhe ndarë ushqimin në porcione, stafi i shpërndarjes, si edhe studentët që shfaqën simptoma helmimi.
Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka persona të proceduar penalisht për këtë rast. Hetuesit vijojnë grumbullimin e provave, ndërsa Prokuroria pritet të vendosë në vijim nëse do të regjistrohen persona nën hetim për përgjegjësinë lidhur me helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.
