Teksa tashmë ka nisur sezoni turistik në Berat, Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka mbledhur sot drejtuesit e inspektoriateve rajonale për të kërkuar kontrolle të forta në terren. Mësohet se në këtë takim morën pjesë drejtues të Inspektriatit të Mbrojtjes së Teritorit, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si edhe të strukturave të tjera në varësi.
Dash Sula bëri të qartë se objektivi është përballimi në kohë i të gjitha problematikave. Një vëmendje e veçantë, sipas tij, do t'i kushtohet sigurisë ushqimore. “Kushdo subjekt që ndot lumin Osum apo mjedisin do të përballet me masa të rrepta administrative dhe gjoba, nëse nuk respekton normat ligjore për mbrojtjen e mjedisit”, deklaroi ai.
Më tej ai u shpreh se u ka kërkuar të gjitha institucioneve në varësi raportime të detajuara për problematikat e konstatuara në terren.
“Masakra që është bërë përgjatë 35-36 viteve në qarkun e Beratit sa i përket gurit dekorativ, ne jemi të vendosur t'i ndalim dhe ju garantoj që për të gjithë lumenjtë e Shqipërisë po përgatisim një plan strategjik afatgjatë për mbikqyrjen kontrollin dhe disiplinimin e tyre. Për sa kohë unë do jem në krye të Inspektoratit, do të jemi të vendosur për tolerancë zero në dëmtimin e mjedisit" tha ai.
Kujtojmë se Dashnor Sula, dikur deputet demokrat e me bindje të forta kundër PS dhe Ramës, në 6 shkurt të këtij viti u emërua zyrtarisht Kryeinspektor i Përgjithshëm.
