Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka zgjedhur të mos i heqë mandatin kryetarit të Bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdarit, duke u shprehur se nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga ligji i dekriminalizimit.
Gjatë fjalës së tij Celibashi tha se referuar interpretimit që ai i bën ligjit, Hajdari nuk ndodhet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin.
“Nuk jemi në kushtet e ndalimit për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Subjekti nuk është në kushtet e ndalimit të ligjit, sipas leximit që i bëj unë si Komisioner”, deklaroi Celibashi.
Kështu, Kreshnik Hajdari do të vijojë të mbajë postin e tij si kryebashkiak i Kuçovës.
Nga ana tjetër, kujtojmë se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari u deklarua fajtor për falsifikim dokumentesh.
Ashtu siç ka raportuar dhe newsbomb.al, pas hetimeve të kryera ndaj tij, kreu i SPAK, Klodian Braho i ka përcjellë kreut të KQZ-së, konfirmimin e dënimit të formës së prerë për kryetarin e bashkisë Kuçovë, ku kërkohet gjithashtu shkarkimi i tij.
Në dokumentin drejtuar Ilirjan Celibashit, kryeprokurori Klodjan Braho detajoi ecurinë e procesit penal ndaj Hajdarit, të nisura menjëherë pas verifikimeve rreth pastërtinë e figurës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, sipas burimeve të Vna.al
Referuar dokumentit u bë me dije se Hajdari është deklaruar fajtor për veprën penale “'Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, për të cilën ndaj tij u caktua 9 muaj burgim.
"Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale 'Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve', parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim."
