Pas ankesave të bëra nga qytetarët dhe diskutimet në Kuvend për çmimet e larta të fruta-perimeve e ushqimeve të tjera, Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se kanë nisur monitorimet në supermarkete të ndryshme për produktet e shportës.
Po ashtu, bëhet me dije se monitorimet synojnë të analizojnë ecurinë e çmimeve të ushqimeve dhe shitjes së tyre për më shumë se brenda një viti, nga 1 janar 2025 – qershor 2026.
“Monitorimi synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet gjatë periudhës 1 janar 2025 – qershor 2026, me qëllim vlerësimin e funksionimit të konkurrencës në një treg që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare.
Në këtë kuadër, supermarketet kryesore do të paraqesin informacion mbi shitjet totale, si edhe të dhëna për 30 produktet që zënë peshën më të madhe në shitjet e tyre. Këto të dhëna do t'i nënshtrohen një analize të detajuar krahasuese për të vlerësuar sjelljen e tregut dhe funksionimin e konkurrencës” shkruhet në reagimin e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës.
Njoftimi i bërë nga Autoriteti i Konkurrencës:
Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës në rrjetin e supermarketeve kryesore të vendit
Në vijim të ankesave të qytetarëve dhe shqetësimit të ngritur nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës në rrjetin e supermarketeve kryesore të vendit.
Monitorimi synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet gjatë periudhës 1 janar 2025 – qershor 2026, me qëllim vlerësimin e funksionimit të konkurrencës në një treg që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare.
Në këtë kuadër, supermarketet kryesore do të paraqesin informacion mbi shitjet totale, si edhe të dhëna për 30 produktet që zënë peshën më të madhe në shitjet e tyre. Këto të dhëna do t'i nënshtrohen një analize të detajuar krahasuese për të vlerësuar sjelljen e tregut dhe funksionimin e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i angazhuar për garantimin e tregjeve të hapura, konkurruese dhe transparente, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe mirëqenies së konsumatorëve.
