Duket se përplasja mes dy kompanive që po ndërtojnë Aeroportin e Vlorës do të vijojë, pasi pas hyrjes së punëtorëve të MABCO-s në kantier, ka reaguar sërish biznesmeni Behgjet Pacolli. Ai i është drejtuar publikisht administratorit të 2A Group, Vegim Hoxha duke i kërkuar transparencë për pagesat dhe duke e akuzuar për mungesë sqarimesh lidhur me menaxhimin financiar të projektit.
Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se MABCO është ortaku mazhoritar i VIA-s me 98% të kuotave dhe se, sipas tij, projekti është ndërtuar falë investimeve dhe garancive të kësaj kompanie, ku janë investuar mbi 310 milionë euro në projekt.
Më tej kërkon që të bëhet publikisht një auditim i pavarur dhe neutral, duke akuzuar palën tjetër për mungesë transparence.
“Prandaj, z. Hoxha, zbatoni vendimet e Asamblesë së Ortakëve. Hapni dokumentacionin. Hapni llogaritë. Hapni procesin e auditimit. VIA nuk është pronë e administratorit dhe as e një grupi të caktuar individësh”, thekson investitori në postimin e tij.
Pacolli ngre dyshime mbi pagesa dhe kontrata të lidhura me 2A Group, duke përmendur shuma të ndryshme financiare dhe pretendime për versione të ndryshme kontratash.
Postimi i plotë:
“Administrator”i VIAs
Fillimisht, duhet sqaruar një fakt themelor: unë nuk ju njoh personalisht, përveçse si personi emërimi i të cilit është objekt i një kontesti gjyqësor dhe që buron nga një vendimmarrje e kundërshtuar ligjërisht, e ndërmarrë nga ortaku që zotëron vetëm 2% të kuotave të VIA-s. Gjithashtu, ju njoh si person ndaj të cilit janë paraqitur kallëzime penale dhe që, sipas informacioneve që më janë përcjellë, prej disa muajsh nuk paraqiteni rregullisht në detyrë.
Kur i drejtoheni MABCO-s, duket se harroni faktin kryesor: MABCO nuk është një palë e tretë ndaj VIA-s. MABCO është ortaku mazhoritar i shoqërisë, me 98% të kuotave. Falë investimit, financimit dhe garancive të MABCO-s, sot ekziston vetë projekti, si dhe pozicionet, pagat, infrastruktura dhe privilegjet që burojnë prej tij.
Për këtë arsye, pretendimi se po “mbroni VIA-n nga MABCO” është jo vetëm i pabazuar, por edhe logjikisht i paqëndrueshëm. Është njësoj sikur të pretendoni se po mbroni shoqërinë nga ortaku që e ka themeluar, financuar, garantuar dhe mbështetur financiarisht që nga dita e parë.
MABCO ka investuar dhe angazhuar mbi 310 milionë euro në këtë projekt. Këto investime janë të dokumentuara përmes kontratave, transfertave bankare, dokumentacionit doganor, deklarimeve tatimore dhe proceseve të auditimit.
Prandaj, kur flisni për “mbrojtjen e VIA-s”, do të ishte me vend t’i përgjigjeni publikisht disa pyetjeve të thjeshta:
Nga kush po e mbroni VIA-n?
Nga ortaku që zotëron 98% të kuotave?
Nga garantuesi kryesor i kredisë?
Nga investitori dhe koncesionari që ka mbajtur barrën financiare të projektit?
Apo nga dokumentet që dëshmojnë se pa MABCO-n nuk do të kishte as financim, as garanci, as kantier dhe as aeroport?
Ndërkohë, ju si administrator duhet të sqaroni publikisht një sërë çështjesh serioze. Sipas informacionit që disponojmë, mbi 6.5 milionë euro të destinuara për prokurimin e Sistemit Digjital të Menaxhimit dhe GSM-së nuk janë përdorur sipas destinacionit të tyre fillestar. Po ashtu, mbeten pa përgjigje pagesat e kryera ndaj 2A Group, të cilat, sipas të dhënave tona, tejkalojnë shumën prej 35 milionë eurosh në emër të punëkryesit.
Përpara se të flisni për MABCO-n, është e nevojshme të flisni me fakte dhe me transparencë. MABCO ka paguar mbi 95 milionë euro ekskluzivisht për nënkontraktorët dhe furnitorët e projektit.
Kam një kërkesë të thjeshtë: nëse jeni i bindur për drejtësinë e qëndrimeve tuaja dhe nëse e konsideroni veten administrator të pavarur dhe profesional, atëherë pranoni menjëherë një auditim të pavarur dhe neutral. Zgjidhni ju vetë auditorin. MABCO është e gatshme ta pranojë pa asnjë rezervë.
Ju deklaroni se jeni administrator. Kjo është e vërtetë. Por administratori nuk është pronar i shoqërisë. Administratori nuk është Asamble e Ortakëve. Administratori është organ ekzekutiv, i detyruar të zbatojë ligjin, statutin dhe vendimet e organeve të shoqërisë.
Mbi administratorin qëndron Asambleja e Ortakëve, organi më i lartë vendimmarrës i VIA-s.
Nëse refuzoni të zbatoni vendimet e Asamblesë së Ortakëve të datës 18.06.2026, atëherë nuk jeni duke mbrojtur VIA-n; jeni duke penguar funksionimin normal të saj.
Ju ftoni për takime, ndërkohë që ju dhe 2A Group refuzoni të merrni pjesë në mbledhjet e ortakëve. Kjo nuk është sjellje institucionale. Kjo është shmangie nga procesi ligjor i vendimmarrjes.
MABCO nuk kërkon akses në kantier si vizitor, si palë e tretë apo si ish-kontraktor. MABCO kërkon akses si ortaku që zotëron 98% të kuotave, si investitori kryesor, si garantuesi i financimit, si mbajtësi i kolateraleve dhe si subjekti që mban përgjegjësinë reale financiare dhe reputacionale për këtë projekt.
Prandaj, ju lutem, mos e fshihni ortakun mazhoritar pas termit “kontraktor”.
Sa i përket kontratave për të cilat ju aludoni, ju e dini mirë se ato janë denoncuar pranë organeve kompetente dhe janë objekt hetimi. MABCO nuk do të bëhet pjesë e asnjë skeme të paautorizuar, të paaudituar dhe potencialisht të paligjshme.
Menjëherë pas zbulimit të versioneve paralele të kontratave, të cilat nuk kishin miratim nga Asambleja e Ortakëve, ato janë dorëzuar pranë autoriteteve përkatëse.
Për 2A Group rezultojnë disa versione kontratash me vlera të ndryshme, duke filluar nga rreth 53 milionë euro, më pas rreth 64.7 milionë euro dhe më vonë pretendime që arrijnë deri në 79.7 milionë euro. Këto dokumente, sipas informacioneve tona, janë hartuar dhe nënshkruar pa vendim të Asamblesë së Ortakëve, pa njoftimin e ortakut mazhoritar dhe janë mbajtur të fshehta deri në momentin kur janë zbuluar.
Ju Administrator e dini mire se të gjitha këto varianta të kontratave ishin ANTEDATUAR se paku dy vjetë më here.
Ju administrator, përpara organeve të drejtësisë duhet të shpjegoni arsyen dhe qëllimin e këtyre falsifikimeve të pretenduara. Sipas vlerësimit tonë, ato kenë synuar përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe paraqitjen e informacionit të pasaktë ndaj BKT-së dhe damtimin e MABCO-s. Kjo është arsyeja pse kërkohet një hetim i plotë dhe transparent.
Andaj, pyetja është e thjeshtë:
Pse të njëjtin zell që tregoni kundër MABCO-s nuk e tregoni edhe ndaj 2A Group?
Pse nuk kërkoni auditimin e kontratave të 2A Group?
Pse nuk sqaroni pagesat milionëshe të kryera ndaj saj?
Pse nuk vini në dispozicion gjendjet bankare, dokumentacionin teknik, kontratat, faturat dhe informacionin që MABCO ka kërkuar vazhdimisht?
Një administrator që pretendon se mbron interesat e VIA-s nuk duhet të ketë frikë nga transparenca. Nuk duhet të ketë frikë nga auditimi. Nuk duhet të ketë frikë nga dokumentet.
Prandaj, z. Hoxha, zbatoni vendimet e Asamblesë së Ortakëve. Hapni dokumentacionin. Hapni llogaritë. Hapni procesin e auditimit.
VIA nuk është pronë e administratorit dhe as e një grupi të caktuar individësh.
VIA është një shoqëri koncesionare me interes publik, e ndërtuar mbi investimin, garancitë dhe kolateralet e MABCO-s.
Çdo përpjekje për ta paraqitur MABCO-n si kërcënim për VIA-n nuk ndryshon faktet dhe nuk ndryshon realitetin juridik e financiar të projektit.
MABCO nuk është kërcënimi i VIA-s.
MABCO është arsyeja kryesore pse VIA ekziston dhe pse ky projekt ka arritur deri në këtë fazë.
Ne duam që projekti të përfundojë dhe aeroporti të vihet në funksion sa më parë. Por ju e dini mirë se pa respektimin e ligjit, pa transparencë, pa financim real dhe pa mbështetjen e investitorit kryesor, ky aeroport nuk mund të përfundojë dhe as të operojë në mënyrë të qëndrueshme.
Prandaj, le të flasim me dokumente, me fakte dhe me transparencë.
Vetëm kështu mund të mbrohen interesat e VIA-s, të shtetit shqiptar dhe të vetë projektit.
Mabco mbetët e përkushtuar të përfundoj projektin, pa ndërhyrje të personave apo grupeve distruktive, ashtu siq ka përfunduar mijera projekte tjera nëpër botë!
