Ditën e hënë, Dritan Goxhaj dha kërkesat e protestuesve nga protesta, dhe më pas erdhi menjëherë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili, nisur nga postimet e Goxhajt në rrjet, e konsideroi atë si një zëdhënës të interesave të Iranit.
Kjo “përballje” e heshtur mes të dyve ndezi shumë debate dhe polemika në rrjet dhe në politikë. Por cili është roli i Goxhajt në protestë?
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur aktivistja Luçjana Kokaj, e cila ka zbuluar se Dritan Goxhaj është pjesë e grupit koordinues të protestës, i cili përbëhet nga rreth 40 persona.
“Janë shumë dhe, më beso, ka njerëz që bashkohen çdo ditë. Është një numër fleksibël, rreth 40 veta që mundohemi të sigurojmë mbarëvajtjen e kësaj gjëje”, tha Kokaj për Report TV.
Sa i përket artikulimeve të djeshme nga Dritan Goxhaj drejtuar qeverisë, Kokaj tha se ato nuk janë prodhim individual i tij, por përmbledhje e kërkesave të qytetarëve gjatë mbi tre javëve protestë dhe përpunim i bindjeve të grupit koordinues.
“Pikat që ka lexuar zoti Goxhaj kanë qenë kërkesa që janë artikuluar nga qytetarët në shesh dhe ne thjesht kemi bërë një mbledhje të atyre pikave, dhe Dritanit i kemi kërkuar t’i lexojë në emër të grupit koordinues. Aty është artikuluar çdo ditë se dorëheqja e kryeministrit është e panegociueshme. Janë të gjitha pika që janë artikuluar më herët, pa asnjë ndryshim nga qytetarë të ndryshëm. Nuk kanë qenë kërkesa të zotit Goxhaj, dhe sulmet që i janë bërë atij janë të padrejta dhe banale nga kryeministri”, u shpreh ajo.
