Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me situatën e raportuar në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë ku dhjetëra studentë u helmuan sërish.
Përmes një deklarate zyrtare, autoritetet kanë bërë me dije se në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm u dërguan në QSUT 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm u paraqitën në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët po ashtu u dërguan për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
“Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë, ndërkohë që theksohet po ashtu se AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Burime për mediat bënë me dije më herët se menuja e darkës së djeshme që studentët konsumuan ishte e përbërë nga: pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë.
Ky nuk është rasti i parë i problemeve të ngjashme në Akademinë e Sigurisë. Në incidentin e ndodhur disa javë më parë, dhjetëra studentë përfunduan në spital pasi kishin konsumuar ushqimin e furnizuar nga e njëjta kompani kateringu “SORI-AL”. Analizat laboratorike të kryera mbi mostrat e marra në atë kohë evidentuan praninë e baktereve Escherichia coli dhe stafilokokut në një pjesë të produkteve ushqimore të servirura.
Pas ngjarjes Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërmori masa administrative, duke pezulluar përkohësisht aktivitetin e subjektit dhe duke vendosur një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për shkelje që lidhen me sigurinë ushqimore dhe standardet higjieno-sanitare. Megjithatë, pas verifikimeve të mëtejshme dhe analizave të kryera në ambientet e kuzhinës dhe pajisjet e përdorura në Akademinë e Sigurisë, të cilat rezultuan në përputhje me normat e përcaktuara, aktiviteti i kompanisë u lejua të rifillonte.
Sipas të dhënave të publikuara në OpenCorporates dhe të regjistruara pranë QKB-së, kompania “Sori-Al” ushtron aktivitet në fushën e shërbimit të ushqimeve të gatshme, menaxhimit të mensave, restoranteve dhe fast-food-eve, si edhe në tregtimin dhe import-eksportin e produkteve ushqimore.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Informacion paraprak
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
