Qytetarët kanë vendosur të mos “shkulen” nga Bulevardi. Në ditën e 22-të të protestës së tyre, ata vijojnë qëndresën përballë Kryeministrisë me një qëllim të vetëm, të mos largohen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Të vendosur për të vazhduar protestën pa afat, qytetarët kanë ngritur edhe një çadër për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta dhe rrezet e forta të diellit.
Mes protestuesve që kanë zgjedhur të qëndrojnë ditë e natë në Bulevard ka qenë edhe avokati Altin Goxhaj, i cili ka kaluar natën përballë ambienteve të Kryeministrisë. Gjatë qëndrimit të tij, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar këtë moment si një akt të mosbindjes civile dhe qytetare.
“Është bllokuar bulevardi. Ky është një mesazh. Mesazhi është që do të fillojmë mosbindjen civile. Ka ardhur policia disa herë, i kemi thënë, zbatoni ligjin. Do të na arrestoni? Na arrestoni, nuk na i ndjen fare. Kjo quhet mosbindje civile”, deklaroi avokati Altin Goxhaj.
Ndërkohë, momente tensioni janë regjistruar gjatë qëndresës së protestuesve, pasi efektivët e policisë kanë ndërhyrë për të larguar çadrën e vendosur nga ata. Pas kundërshtimit dhe këmbënguljes së qytetarëve, policia është tërhequr, ndërsa protestuesit kanë vijuar thirrjet e tyre, duke përsëritur refrenin që ka shoqëruar protestën prej ditësh: “Rama, jep dorëheqjen!”.
View this post on Instagram
