Protesta e qytetarëve në Tiranë hyn sot në ditën e saj të 25-të, ndërsa kreu i LZHK-së politikani Dashamir Shehi ka bërë thirrje që të mbyllen dyqanet pasdite e të mblidhen në shesh për të protestuar krah mijëra të tjerëve.
Në intervistën e dhënë për emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Shehi theksoi se nëse qytetarët kërkojnë revolucion diçka e tillë do të arrihet me këmbëngulje.
Duke komentuar prezencën e qytetarëve në protestë, Shehi shtoi se mjafton që shqiptarët të marrin për krahu gruan e të dalin poshtë shtëpisë së tyre për të treguar se ata janë aty dhe kërkojnë ndryshim.
“Revolucion s’ka këtu as me bajonetë, as sfurk, me votë do bëhet revolucioni, siç u bë në Hungari që hoqën një autokrat që kishte 16 vjet. Populli e hoqi me votë. S’pati nevojë atje për revolucione. Ky është revolucioni për mua dhe duhet ta bëjmë këtë punë.
Do t’i ftoja qytetarët e Tiranës, mbylleni një orë dyqanin se s’u bë qameti, se s’qenkan shitur 5 birra dhe dy këpucë, keni zgjedhur një rrugë që të bëjmë një gjë të madhe, të ndryshojmë vërtetë diçka, mos zvarritemi 30 e ca vjet. Nuk i prish asnjë punë. Nuk kanë pse tremben më. S’ka nevojë as të rrijnë te uji, as te molotovi, mjafton merr gruan për krahu dhe dil atje poshtë shtëpisë. Kaq është. Për të treguar që ne s’jemi më me ju. Ata s’po na qeverisin, po na sundojnë” tha Dashamir Shehi.
