Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, deklaroi sot se Shqipëria i ka premtuar një projekt turistik me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, do të zbatohet në përputhje me standardet mjedisore të BE-së.
Sipas saj, qeveria shqiptare ka siguruar Komisionin Evropian se projekti, do të respektojë legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e mjedisit.
“Kemi marrë siguri nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane mjedisore”, tha Kos në një konferencë për shtyp.
Aktualisht Shqipëria mbetet një nga vendet kryesore kandidate në procesin e anëtarësimit në BE, pas Malit të Zi.
Megjithatë, për të përmbyllur anëtarësimin, vendi duhet të harmonizojë plotësisht kuadrin e saj ligjor me atë të BE-së, përfshirë edhe standardet për mbrojtjen e mjedisit.
Projekti i turizmit luksoz, me një vlerë të deklaruar mbi 1.4 miliardë euro, ka shkaktuar protesta gjatë javëve të fundit në Shqipëri. Ai parashikohet të zhvillohet në një zonë me ndjeshmëri të lartë ekologjike përgjatë bregdetit shqiptar të Adriatikut.
Javën e kaluar, pas shqetësimeve të shprehura nga Komisioni Evropian, zëdhënësi për Zgjerimin, Guillaume Mercier, u kërkoi autoriteteve shqiptare të “veprojnë pa vonesë”, për të mos rrezikuar procesin e integrimit në BE.
Deklaratat e Mercier u pritën me reagime në Tiranë si një qëndrim paraprak ndaj projektit, ndërkohë që procesi i vlerësimit mjedisor është ende në zhvillim.
Nga ana tjetër, Kos mbajti një ton më të balancuar, duke theksuar edhe të drejtën e protestës si një liri themelore në BE dhe për vendet kandidate.
“Ajo që po ndodh ndërsa Shqipëria është në proces anëtarësimi është e rëndësishme. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht i detyrueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë se natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen sipas standardeve evropiane”, u shpreh ajo.
Në raportin vjetor të progresit për vendet kandidate, Komisioni kishte ngritur shqetësime për një ndryshim ligjor të miratuar në shkurt 2025, i cili parashikon përjashtime për investime mbi 50 milionë euro.
Ky ndryshim mund të prekë edhe projektin e kompanisë Affinity Partners, e mbështetur nga Kushner, e cila ka përfituar akses të veçantë nga autoritetet shqiptare.
“Sa i përket investimeve të huaja, ato janë të rëndësishme për çdo vend kandidat dhe për shtetet anëtare. Për ne nuk ka rëndësi vetëm origjina e tyre, por nëse zbatohen në përputhje me legjislacionin e BE-së”, shtoi Kos.
