Eurodeputeti Fredi Beleri ka shfrytëzuar fjalën e tij në Parlamentin Europian për të ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke i kujtuar Tiranës zyrtare se rruga drejt anëtarësimit nuk kalon vetëm përmes përmbushjes së kritereve teknike, por edhe përmes respektimit të të drejtave të minoriteteve, forcimit të shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të ngushtë me vendet fqinje, veçanërisht me Greqinë.
Në ndërhyrjen e tij, Beleri vlerësoi se Shqipëria mund të marrë dritën jeshile për avancimin e negociatave, por theksoi se mbeten ende çështje të rëndësishme që nuk mund të anashkalohen. Ai u ndal te situata e minoritetit grek në Shqipëri, duke nënvizuar se vazhdojnë të evidentohen probleme që lidhen me mungesën e transparencës, korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve.
Eurodeputeti grek ngriti gjithashtu shqetësimin për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, duke e cilësuar këtë si një tregues të problemeve të brendshme me të cilat përballet vendi. Sipas tij, protestat e zhvilluara në vend kanë artikuluar qartë këto shqetësime, ndërsa kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama duke theksuar se përgjegjësia për situatën nuk mund të zhvendoset te faktorë të jashtëm apo te vendet fqinje.
“Shqipëria do të marrë dritën jeshile nëse mbyll negociatën. Por ka disa çështje që kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Greqia ka një mironitet grek në Shqipëri, ka një bashkëjetesë pozitive me qytetarët lokal, por kur bëhet fjala për politikat ka një mungesë transaprencë, korrupsion dhe kur flasim për numrin e lartë të rinjve që largohen këto janë çështje të rëndësishme që nuk mund ta shmangen. Protestat i kanë artikulaur këto, por Qeveria i drejton gishtin nga ana tjetër i drejton gishtin fqinjve por nuk është një argument në këtë fazë të rëndësishme të integrimit. Shpresoj ti lëmë mënjanë përçarjet për të bashkëpunuar”, tha Beleri.

