Teksa Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoaan mirëpriste liderët e vendeve anëtare të NATO-s në kuadër të samitit, nga ana tjetër Zonja e Parë Emine Erdogan, ishte kujdesur që të njëjtin respekt dhe mikpritje t'ua rezervonte edhe bashkëshorteve të tyre.
Ajo i mirëpriti ato në një takim të ngrohtë në Pallatin Presidencial Çankaya. Në mesin e zonjave e pranishme ishte edhe Linda Rama, e cila u pa pranë Emine Erdogan gjatë aktiviteteve të organizuara. Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte takimi i bashkëshrotes së presidentit Erdogan me Brigitte Macron, bashkëshorten e presidentit francez Emmanuel Macron. Dy zonjat u panë duke biseduar e buzëqeshur së bashku, madje Eminne Erdogan e kishte kapur atë edhe për dore.
Gjatë programit, Emine Erdogan zhvilloi një tryezë të rrumbullakët me temën "Fëmijët, Teknologjia dhe Siguria: Mbrojtja e Gjeneratës së Ardhshme", ku morën pjesë bashkëshortet e liderëve të pranishëm në samit. Në fjalën e saj, ajo ngriti shqetësimin për ndikimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë dhe rrjeteve sociale në jetën e fëmijëve, duke theksuar se sfidat e epokës dixhitale kërkojnë përgjegjësi të përbashkët nga shtetet.
Emine Erdogan u shpreh se nuk është vetëm përmbajtja e rrezikshme ajo që përbën problem, por edhe mënyra se si vëmendja, koha dhe kurioziteti i fëmijëve po kthehen në burime të shfrytëzueshme në botën dixhitale. Ajo theksoi se mbrojtja e fëmijëve nuk mund të lihet vetëm në dorën e kompanive teknologjike, por duhet të jetë një përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Pas përfundimit të diskutimeve, bashkëshortet e liderëve morën pjesë në një drekë zyrtare, e ndjekur nga fotografia familjare. Programi vijoi me vizitën në një ekspozitë të veçantë ku u prezantuan pëlhura, qëndisje dhe punime tradicionale artizanale, të cilat pasqyrojnë trashëgiminë e pasur kulturore dhe mjeshtërinë e artizanëve turq.
