Shqipëria do të jetë vendi mikpritës për samitin e radhë të Aleancës Ushtarake më të madhe të globit. Vendimi është marrë sot nga përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe kryeministri Edi Rama ka njoftuar popullin shqiptar se Samiti i NATO-s në vitin 2027 do të mbahet në kryeqytetin tonë, në Tiranë.
“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën”, tha Rutte gjatë një prononcimi për mediat në Ankara, ku u zhvilluan punimet e samitit të NATO-s.
Një vit më parë, kryeministri Edi Rama e ka pohuar këtë fakt, por deri më sot në Samitin e Ankarasë, asgjë nuk ka qenë e sigurtë dhe angazhimi i fortë i Shqipërisë me rritjen e buxhetit të mbrojtjes, ka bërë që përfaqësuesit e vendeve të Aleancës të jenë në një mendje për Tiranën, si vendtakim i ardhshëm.
Në Dhjetor 2025, newsbomb.al ka raportuar se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritje e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në Tiranë në vitin 2027. Kjo do të jetë një ngjarje historike për vendin.
Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit. Task-Forca ka në përbërje këta anëtarë:
a) Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor;
ç) Përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit;
d) Sekretarët e Përgjithshëm:
i. të Ministrisë së Punëve të Brendshme;
ii. të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
iii. të Ministrisë së Financave;
iv. të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
v. të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
vi. të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
vii. të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit;
viii. të Ministrisë së Mbrojtjes.
dh) Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
e) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik;
f) Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Samiti i NATO-s do të sjellë në Shqipëri liderët e vendeve më të fuqishme të botës, mes të cilëve edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili, me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, ka marrë një rol kryesor në nxitjen e Aleancës për forcimin e sigurisë globale.
Shqipëria, gjithashtu, i ka ofruar NATO-s të ketë një terminal të veçantë ushtarak në Portin e Ri që do të ndërtohet në Porto Romano, në Durrës.
Task-Forca mbështetet në veprimtarinë e saj nga një sekretariat teknik, që ngrihet pranë dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Në mbledhjet e HNTF-së mund të ftohen, sipas nevojës, përfaqësues të institucioneve të tjera publike, si edhe ekspertë vendas ose të huaj, në varësi të çështjeve që diskutohen.
Host Nation Task Force është organ vendimmarrës për përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive institucionale në funksion të organizimit të Samitit dhe ka këta objektiva:
a) Të përcaktojë agjendën dhe programin politik e teknik të punës së Samitit;
b) Të shqyrtojë e të miratojë aktet, veprimet dhe kërkesat operacionale të propozuara nga Skuadra Kombëtare e Organizimit;
c) Të propozojë për miratim pranë Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, “Planin gjithëpërfshirës të veprimit për organizimin dhe mbarëvajtjen e Samitit të NATO-s, Tiranë, 2027”, duke përcaktuar:
i. hapat dhe masat e planifikimit;
ii. nevojat infrastrukturore, logjistike dhe institucionale;
iii. procedurat tekniko-juridike dhe instrumentet financiare;
iv. detyrat e detajuara për çdo strukturë.
ç) Të vlerësojë kostot e organizimit e të propozojë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat, buxhetimin përkatës në Këshillin e Ministrave;
d) Të marrë masat për dislokimin e dispozitivit ushtarak dhe mbrojtës, në bashkërendim me strukturat ushtarake aleate.
Nën varësinë e HNTF-së ngrihet Skuadra Kombëtare e Organizimit (National Organization Team – NOT), e cila kryesohet dhe funksionon nën përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar, si dhe përbëhet nga:
a) drejtori i Protokollit të Shtetit;
b) drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
c) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
ç) drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
d) komandanti i Gardës së Republikës;
dh) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
e) përfaqësuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) përfaqësuesi i Kabinetit të Kryeministrit;
f) drejtori i Protokollit të Kryeministrit;
g) drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil;
gj) drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol-it;
h) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar;
i) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike;
j) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar;
k) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
l) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim;
ll) drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
m) drejtori i Drejtorisë së NATO-s dhe Çështjeve të Sigurisë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
n) përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë.
7. Anëtarët e Skuadrës Kombëtare të Organizimit ushtrojnë përgjegjësinë e koordinatorëve kombëtarë sektorialë për fushat përkatëse.
8. Mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimit thirren nga kryetari sa herë që vlerësohet e nevojshme.
9. Kryetari ka të drejtë të thërrasë mbledhje të natyrës teknike me pjesëmarrje më të kufizuar, në varësi të problematikave/çështjeve që do të diskutohen dhe të konfidencialitetit.
10. Në mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimit mund të ftohen përfaqësues të institucioneve të tjera publike, enteve private dhe ekspertë vendas e të huaj, në varësi të problematikave që do të trajtohen.
11. Skuadra Kombëtare e Organizimit është përgjegjëse për bashkërendimin me Task-Forcën e Samitit të NATO-s në Bruksel, me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, si dhe me task-forcat e vendeve pritëse të samiteve paraardhëse.
12. Detyrat e Skuadrës Kombëtare të Organizimit përfshijnë vlerësimin dhe propozimin e masave sektoriale për:
a) sigurinë e delegacioneve dhe të personaliteteve shtetërore;
b) përcaktimin e vendeve të zhvillimit të Samitit, eventeve dhe aktiviteteve ndihmëse;
c) akomodimin e delegacioneve dhe të trupave shoqëruese;
ç) transportin ajror, rrugor e logjistikën;
d) mbulimin mediatik dhe komunikimin publik;
dh) aspektet teknike, digjitale dhe të sigurisë kibernetike;
e) çdo detyrë tjetër specifike që lidhet me organizimin e Samitit me miratimin e Host Nation Task Force.
13. Koordinatori Kombëtar mbështetet në detyrën e tij nga një shtab i përhershëm, i përbërë nga personel civil e ushtarak, që ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
14. Personeli civil dhe ushtarak vendoset në dispozicion me kohë të plotë nga institucionet shtetërore.
15. Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të Koordinatorit Kombëtar, mund të punësojë specialistë dhe ekspertë në të gjitha fushat që lidhen me organizimin e zhvillimin e Samitit.
16. Shtabi i Përhershëm ushtron funksionet e tij në mjediset e përgatitura posaçërisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, garnizoni “Skënderbej”, Tiranë.
17. Host Nation Task Force paraqet periodikisht pranë Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave raporte për ecurinë e përgatitjeve, si dhe rekomandime për vendimmarrje ndërsektoriale e financiare.
18. Ngarkohen institucionet që janë pjesë e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

