Partia Socialiste do të festojë më 12 qershor 35-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet të madh që do të zhvillohet në Sheshin “Italia” në Tiranë, duke nisur nga ora 18:00.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë rreth 15 mijë anëtarë dhe mbështetës të socialistëve nga të gjitha qarqet e vendit. Sipas burimeve pranë organizatorëve strukturat e partisë janë angazhuar prej javësh në përgatitjet për aktivitetin, me synimin për të siguruar një organizim sa më dinjitoz dhe një pjesëmarrje të gjerë.
Gjithashtu të njëjtat burime bëjnë me dije se mobilizimi i strukturave lokale dhe qendrore ka qenë maksimal, ndërsa numri i pjesëmarrësve mund ta kthejë këtë përvjetor në një nga tubimet më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga Partia Socialiste.
35-vjetori i themelimit vjen në një moment të rëndësishëm për forcën më të madhe politike në vend. Gjatë tre dekadave e gjysmë Partia Socialiste ka qenë një nga aktorët kryesorë të jetës politike dhe institucionale në Shqipëri, duke mbajtur role vendimtare në qeverisjen e vendit.
Aktiviteti pritet të shoqërohet me fjalime dhe mesazhe politike nga drejtuesit më të lartë të partisë, si edhe me elementë festivë që do të shënojnë këtë datë simbolike për socialistët shqiptarë.
