Avokati Gentian Serjani ka reaguar publikisht pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili paralajmëroi se nëse pretendimet e bëra për dhunë ndaj protestuesit të arrestuar Niko Qarkaj rezultojnë të pavërteta, do të ndiqen procedurat ligjore për referimin e çështjes në Prokurori dhe pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Përmes një reagimi në Facebook, Serjani thekson se ka ushtruar detyrën e tij si përfaqësues ligjor i Niko Qarkajt dhe se ka bërë publike vetëm ato që klienti i tij i ka deklaruar gjatë takimit mes tyre. Sipas avokatit, ishte vetë Qarkaj ai që i ka treguar se është dhunyar nga efektivë policisë dhe se ka kaluar kriza epilepsie gjatë qëndrimit në qeli e se nuk i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.
“Në asnjë moment nuk kam shprehur pretendime si fakte të mia, por kam kryer detyrën time si përfaqësues ligjor i N.Q., duke bërë publike vetëm ato që ai më ka deklaruar dhe që vetë më ka kërkuar t'i bëj publike edhe në media.
Deklarata të tilla nga përfaqësuesit ligjorë për personat që përfaqësojnë janë bërë edhe më parë. Pse, atëherë, nuk ka pasur një reagim të tillë nga Ministri? Pse duhet që Ministri të deklarojë se avokati do të akuzohet për nxitje? Për çfarë nxitjeje bëhet fjalë? Ashtu si Ministri ushtron detyrën e tij, edhe unë kam ushtruar detyrën time si avokat”, shkruan avokati, duke u ndalur më tej dhe te çështja e provave, duke theksuar se në sistemin ligjor shqiptar nuk është përgjegjësi e avokatit që të sigurojë prova. Sipas tij, roli i mbrojtësit ligjor është të përcjellë dhe të mbrojë pretendimet e klientit, ndërsa verifikimi i tyre u takon institucioneve kompetente.
Reagimi i Gentian Serjanit:
Në asnjë moment nuk kam shprehur pretendime si fakte të mia, por kam kryer detyrën time si përfaqësues ligjor i N.Q., duke bërë publike vetëm ato që ai më ka deklaruar dhe që vetë më ka kërkuar t'i bëj publike edhe në media.
Deklarata të tilla nga përfaqësuesit ligjorë për personat që përfaqësojnë janë bërë edhe më parë. Pse, atëherë, nuk ka pasur një reagim të tillë nga Ministri? Pse duhet që Ministri të deklarojë se avokati do të akuzohet për nxitje? Për çfarë nxitjeje bëhet fjalë? Ashtu si Ministri ushtron detyrën e tij, edhe unë kam ushtruar detyrën time si avokat.
Sa i përket provave, në sistemin tonë ligjor nuk është detyrë dhe as mundësi e avokatit të sigurojë prova në kushte të tilla. Unë kam përcjellë publikisht vetëm atë që më ka deklaruar i ndaluari, në cilësinë e klientit tim.
Lidhur me deklaratën e Avokatit të Popullit, është thënë se deri të premten nuk ka pasur probleme, gjë që është e vërtetë. Megjithatë, sot punonjësit e Avokatit të Popullit po e trajtojnë këtë çështje dhe nuk mund të pritet që ata të dalin menjëherë me një deklaratë përfundimtare.
Në çdo rast, ritheksoj se jam duke kryer detyrën time si përfaqësues ligjor dhe do të vazhdoj ta ushtroj atë me përgjegjësi, në përputhje me ligjin dhe etikën profesionale.

