Ardhja e diasporës në Shqipëri për protestën e paralajmëruar sot në oren 19:00, është kryefjalë në vendin tonë. Qindra automjete të nisura nga shtetet europiane, atje ku ata kanë ndërtuar ndër vite jetën e vet, kanë ardhur sot në Tiranë. E natyrisht në këtë situatë, janë opozitarët ata që kanë provuar të jenë krah me ta. Sigurisht në rrjetet sociale duke i mbështetur përmes videove të postuara, pasi në shesh disa prej tyre nuk janë pranuar të jenë prezentë.
Një nga politikanët që po ndjek emigrantët “këmba këmbës” është Adriatik Lapaj. Nëse futeni në llogarinë e tij në “Facebook” do të shihni që disa video të kolonave të automjeteve që vijnë nga Diaspora janë pasqyruar dhe shoqëruar me thirrjet: “Edi dorëhiqu” duke treguar dhe vendet nga ku shqiptarët po vijnë.
E sigurisht edhe demokratët nuk ngelen mbrapa. I pari ka qenë kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ashtu sikurse dhe në protestën e dy javëve më parë dhe kësaj here po përpiqet që të marrë “meritat” për organizimin madhështor të tubimit. Më herët ai postoi video të autokolonave me flamujt kuqezi që kishin mbërritur në Tiranë.
E njëjta video u postua edhe nga besniku i tij Flamur Noka, ndërkohë që edhe deputetët Gjin Gjoni, Jorida Tabaku, Xhelal Mziu, Ina Zhupa e shumë të tjerë i kanë dhënë zë në rrjetet e tyre sociale diasporës e cila po vjen për të protestuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, por edhe largimin e Sali Berishës.
View this post on Instagram
