Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka ndarë një mesazh urimi për 250 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke uruar popullin amerikan këtë 4 korrik dhe shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
"Në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan.
Shqipëria vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me SHBA-në, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit.
Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që nga njohja si shtet deri në reformat kryesore në 35 vitet e fundit. Gëzuar 4 Korrikun USA", shkruan Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Ditën e Pavarësisë—një nga festat kombëtare më të rëndësishme të vendit. Në këtë ditë, në vitin 1776 u miratua Deklarata e Pavarësisë, duke shpallur krijimin e një kombi të ri dhe ndarjen e tij nga Britania e Madhe.
Për amerikanët, kjo datë simbolizon lirinë, demokracinë dhe unitetin kombëtar. Më 4 Korrik 1776, Kongresi i Dytë Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga përfaqësuesit e trembëdhjetë kolonive britanike në Amerikën e Veriut.
Dokumenti shpalli të drejtën e kolonive për vetëvendosje dhe shënoi fillimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një komb i pavarur, ndërsa me kalimin e kohës, 4 korriku u bë festa kryesore kombëtare e vendit.

