Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

“Shkolla u kthye si të ishte pronë private’’, regjisori Arben Kumbaro për Universitetin e Arteve: Nuk shoh ndonjë perspektivë për të ardhmen

Shkruar nga Newsbomb
“Shkolla u kthye si të ishte pronë private’’,
Regjisori Arben Kumbaro

Regjisori Arben Kumbaro, pedagog në Universitetin e Arteve, i ftuar në Euronews Albania, ka folur hapur për gjendjen e sotme të institucionit. Ai e përshkroi situatën me një fjalë: trishtim. Sipas tij, çdo sakrificë, çdo punë dhe netët pa gjumë që dikur studentët dhe pedagogët i kalonin duke punuar, sot kanë mbetur vetëm kujtime.

Kumbaro theksoi se kjo gjendje është pasojë e humbjes së kuptimit dhe keqmenaxhimit, duke shtuar se dy pedagogë të zakonshëm e kthyen shkollën si pronë private. Ai kujtoi se dikur shkolla ishte vendi ku zbuloheshin talentet, ndërsa sot atmosfera është e rënduar dhe mungon fryma e artit që dikur e mbante gjallë institucionin.

Do më lejosh të jem i vërtetë në publik. Unë thoja me një fjalë: është trishtim. Për mua po katandiset gjithmonë e më keq. Fakulteti, skena, para 30 vjetësh dy vetë nga pedagogët më të zakonshëm që ka pasur ajo, për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër, e kthyen si pronë private atë shkollë. Filluan të fusin njerëzit e tyre, hapën restorant atje, dhe nisi të ndihej një aromë e pakëndshme në atmosferën e shkollës. Ato netët pafund që rrinim dhe punonim dikur ngelën thjesht kujtime.

Unë kam dhënë gjithë jetën mjeshtri, aktori, regji, por në një moment thashë “stop” se po bëhej pa sens dhe fillova të jap vetëm leksione teorike. Kam 15 vjet që jap dramaturgji dhe bazat e kritikës, sepse menaxhimi praktik i zanatit, që është baza e tij, për shkak të menaxhimit të dobët të shkollës është bërë pa kuptim.

Dikur talentet zbuloheshin në shkollë. Unë jam zbuluar që në shkollë. Sot nuk zbulohen më talentet aty. Nëse bëjnë ndonjë përpjekje jashtë shkollës dhe bien në sy, atëherë bëhen atraktivë. Kjo është situata dhe unë nuk shoh ndonjë perspektivë rozë në të ardhmen, të paktën për 10–20 vjet, sepse arti nuk ndryshon sot për nesër. Arti do vite që të mbillet. Shpirti është një gjë që lëviz në atmosferë, është trend dhe nuk mund ta ndryshojë dot një njeri.

Është frymë arti që sjell epokat e mëdha. Të gjitha epokat e artit që kanë ndryshuar historinë e njerëzimit kanë qenë frymë, si impresionizmi. Nuk i ka bërë vetëm një njeri. Ka qenë një grup njerëzish që kanë menduar ndryshe, që kanë pasur një frymëzim ndryshe, dhe epokat e arta të artit kanë ndodhur sepse ka qenë frymë. Nuk mund të ndodhin me një ose dy njerëz.

Sot është vështirë të drejtosh një teatër, të gjesh dikë që t’i besosh se do të jetë me të vërtetë produktiv. ’’- tha Kumbaro.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese