Politikani i lartë demokrat Luçiano Boçi është pyetur drejtpërdrejt për thirrjet "Rama n'burg, Berisha n'burg", të shndërruara tashmë në himn të protestës qytetare që vazhdon prej më shumë se 25 ditësh në rrugët dhe bulevardet kryesore të Tiranës.
Gazetari Xhensil Shkëmbi e ka pyetur Boçin për thirrjet për Sali Berishën, ndërsa ky i fundit u shpreh se mes protestuesve ka edhe njerëz që i shërbejnë qeverisë dhe qëllimisht thonë "Berisha n'burg".
Ndërkohë, i pyetur për pjesën e parë të parullës, "Rama n'burg", deputeti Luçiano Boçi ka thënë se qytetarët kanë të drejtë që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe dërgimin në burg.
"Tani këtë e kemi sqaruar dhe është e qartë; lufta ndaj opozitës përgjatë shumë viteve ka qenë dhe në formën e bërjes opozitë ndaj opozitës, ndaj PD. Partia Demokratike është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta.
Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik dhe të marrin autoritetin e opozitës. Dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parullë. Që nuk na afekton, e rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për largimin e qeverisë", u shpreh Boçi.
