Ikballe Huduti Berisha ka reaguar në një intervistë për Top News pas vendimit të një dite më parë të bërë publik nga Ministria e Brendshme, ku ministri Besfort Lamallari njoftoi se Shqipëria e ka përfshirë atë në listën e personave të konsideruar si rrezik për sigurinë kombëtare, duke e lidhur këtë vendim me dyshime për kontakte të saj me Iranin.
Gjatë fjalës së saj Huduti i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se vendim i marrë nga shteti shqiptar lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e saj në protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
“Një grup grash që më kanë ndihmuar nga vetura ime deri në shesh, nja 50 paketime me ujë, kam shpërndarë ujë për protestuesit. Tradita jonë e kërkon, do shpërndaj ujë dhe kam shkuar, madje nuk kam dashur të marr fjalën, por kam dashur t'i them Edi Ramës, unë nuk jam iraniane, as nuk jam agjente, por unë jam shqiptare”, ka thënë ajo duke theksuar se kërkon mbrojtje institucionale nga qeveria e Albin Kurtit pasi është kërcënuar me jetë nëpër rrjetet sociale.
Ndërkohë që një deklaratë skandaloze ka ardhur më pas nga Huduti e cila ka shkuar më tej duke thënë se kryeministri Edi Rama duhet të përballet me drejtësinë aty ku dhe ndodhet Hashim Thaçi.
“Më mirë të pendohet, ose të largohet ose të shkojë te Hashim Thaçi, ku e ka vendin. Le të punojë drejtësia.”, ka thënë ajo, deklaratë e cila vjen në një kohë kur shqiptarët po kërkojnë drejtësi për Thaçin dhe e cilësojnë mbajtjen e tij në Hagë si të padrejtë.
Nga ana tjetër, deputetja socialiste Aulona Bylykbashi ka reaguar duke sqaruar se vendimi i autoriteteve shqiptare nuk lidhet me protestat e zhvilluara në Tiranë. Sipas saj, institucionet shtetërore kanë vepruar mbi bazën e provave dhe fakteve që disponojnë, të cilat pritet të bëhen publike në vijim, duke theksuar se çështja e sigurisë kombëtare nuk lidhet me pjesëmarrjen në tubime, por me vlerësime të tjera institucionale.
Ikballe Huduti Berisha: Një grup grash që më kanë ndihmuar nga vetura ime deri në shesh, nja 50 paketime me ujë, kam shpërndarë ujë për protestuesit. Tradita jonë e kërkon, do shpërndaj ujë dhe kam shkuar, madje nuk kam dashur të marr fjalën, por kam dashur t'i them Edi Ramës: unë nuk jam iraniane, as nuk jam agjente, por unë jam shqiptare.
Por ai e ka pyetur veten sa shqiptar dhe çfarë të këqija po i bën popullit tënd. Më mirë të pendohet, ose të largohet ose të shkojë te Hashim Thaçi, ku e ka vendin. Le të punojë drejtësia, unë e kam dhënë votën Hashim Thaçit dhe uroj që të dalë, se e di çka është burgu. Rama le të shkojë aty dhe aty të gjykohet. Drejtësi në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka.
Unë kam hyrë në paraburgim me dyshim për kryerjen e veprave terroriste. Pas 2 viteve gjykim unë kam dalë e pafajshme dhe këtë muaj më është caktuar edhe shuma sa e kam dëmshpërblimin, të cilin nuk e kam pranuar, se është i vogël për mua. Agjenda e Iranit? Gazetarë, shkoni në Gjykatën e Kosovës, te prokurori Afrim Feshkiu. Më ka futur në skaner që kur kam lindur dhe unë jam e pastër. Unë jam e pastër, nuk kam asnjë lidhje me Iranin.
Aulona Bylykbashi: Ajo që doja të thoja, ne duhet të jemi koshientë që prej tashmë 26 ditësh në Shqipëri janë duke u zhvilluar protesta në qendër të Tiranës. Një protestë paqësore, por nga ana tjetër tregon një nivel të lartë të demokracisë në vend.
Askush në këtë protestë nuk është cenuar, njerëzit kanë shkuar të qetë në shtëpitë e tyre, dhe rasti në fjalë nuk ka të bëjë me protestën. Vendimi ka ardhur nga institucionet e shtetit shqiptar dhe e gjithë vendimmarrja e këtyre institucioneve bazohet në fakte dhe në prova, të cilat deri më tani ata i disponojnë, por ende janë të pabëra publike. Vendosja non grata nuk ka të bëjë thjesht me një pjesëmarrëse në protestë, por me cenimin e sigurisë në vend.
