Vullkani Etna në Siçili ka shpërthyer sërish, duke mbuluar qiellin mbi ishullin italian me re të dendura tymi dhe hiri vullkanik.
Për shkak të hirit të zi dhe rrezikut për sigurinë e fluturimeve, aeroporti i Katanias ka pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.
Vendimi u mor pasi dhjetëra fluturime u devijuan ose u anuluan si pasojë e aktivitetit vullkanik gjatë natës mes të dielës dhe të hënës.
Observatori Italian i Vullkaneve për Aviacionin (VONA) ngriti nivelin e alarmit në të kuq, pasi Etna lëshoi një re të madhe hiri pak pas orës 06:00 të mëngjesit të dielën. Alarmi mbeti në fuqi edhe pas një shpërthimi tjetër të regjistruar rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës, kur reja e hirit arriti deri në 4.500 metra lartësi.
Autoritetet u kanë bërë thirrje pasagjerëve të mos udhëtojnë drejt aeroportit pa verifikuar më parë statusin e fluturimit me kompaninë e tyre ajrore.
Fillimisht, të dielën u anuluan të gjitha fluturimet hyrëse pasi u mbyll hapësira ajrore mbi zonën e prekur nga reja e hirit. Fluturimet në nisje vijuan përkohësisht, por mëngjesin e së hënës aeroporti njoftoi pezullimin e plotë të të gjitha fluturimeve.
