Hapësire reklamuese

Rajoni

SKANDAL në Gostivar! Zyrtarët e Ujësjellësit “kyçën gojën” për ndotjen e ujit të pijshëm, qeveria shpall 30 ditë gjendje krize

Shkruar nga Newsbomb
SKANDAL në Gostivar! Zyrtarët e Ujësjellësit
Foto ilustruese

Një skandal është zbuluar së fundmi në Komunën e Gostivarit, ku qytetarët janë përballur me ndotje të ujit të pijshëm, ngjarje për të cilën ata nuk kanë qenë në dijeni derisa zyrtarë të Ujësjellësit përfunduan nën lupën e drejtësisë.

Mediat vendase raportojnë se qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit për shkak të krizës me furnizimin me ujë të pijshëm.

Ky vendimi u mor menjëherë pas vlerësimit se pushteti lokal nuk mund të përballet i vetëm me situatën. Për rrjedhojë, synohet koordinimi më i shpejtë i institucioneve dhe rikthimi i sistemit të ujësjellësit në funksion sa më shpejt.

Po ashtu bëhet me dije se është kërkuar që Prokuroria Publike të zhvillojë hetim të plotë për rastin dhe të përcaktojë përgjegjësinë për çdo person që ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm, mësohet se banorët e fshatrave prej ditësh mbushin ujë të pijshëm në burimet e fshatrave malore.

Sakaq, mësohet se është hapur hetim ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës dhe dy drejtuesve të tjerë të NP “Komunalec” Gostivar, të cilët thuhet se janë vënë në pranga.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nisur procedurë hetimore ndaj tre të dyshuarve për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me ndotjen e ujit të pijshëm”.

Të dyshuarit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për Punë Teknike dhe përgjegjësit të Departamentit për Ujësjellës, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore, kanë bërë të papërdorshëm ujin e pijshëm në dhomën e mbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe në fshatra përreth.

Prokuroria bën me dije se ata më 25 qershor u kishin dhënë urdhër punonjësve të ndërmarrjes që të vendosnin tre pompa në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur, pranë dhomës së mbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.

Gjatë këqyrjes së kryer më 16 korrik, u konstatua se dy nga pompat ishin ende në funksion dhe, përmes zorrëve të presionit të vendosura nëpër hapjen e tejmbushjes, transportonin ujë me substanca të dëmshme dhe baktere koliforme nga kanali i hapur në dhomën ku ndodhet uji i sistemit të mbyllur të ujit të pijshëm.

Si pasojë, në sistem ka ndodhur përzierja e ujit të ndotur me ujin e rrjetit kryesor të furnizimit me ujë.

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar mostrat e ujit nga kanali i hapur. Rezultatet tregojnë se uji është jashtëzakonisht i ndotur dhe i papërdorshëm, për shkak të pranisë së 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml.

Në mostrat e marra nga burimi i kapur është konstatuar numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile, si dhe prani e 39 cfu/100 ml baktere koliforme, ndonëse sipas standardeve të referencës ato duhet të jenë 0 cfu/100 ml.

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, uji është shpallur i pasigurt dhe i papërshtatshëm për përdorim dhe konsum.

Gjithashtu është analizuar një mostër uji e marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar përqendrim i lartë i klorit rezidual, 1,1 mg/l, që tejkalon ndjeshëm kufirin e lejuar sipas rregullores, i cili duhet të jetë nga 0,2 deri në 0,3 mg/l, ndërsa nuk guxon të kalojë 0,5 mg/l.

Duke pasur parasysh se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtësisht, prokurori publik vlerëson se ekzistojnë baza të mjaftueshme për dyshimin se është kryer vepra penale për të cilën zhvillohet hetimi.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njofton se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit. Të dyshuarit janë ndaluar dhe gjatë ditës prokurori do të vendosë se cilat masa sigurie do t’i propozojë gjykatës ndaj tyre.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese