Gjashtë të mitur e adoleshentë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në Fan të Mirditës, pasi makina me të cilën ata udhëtonin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë ndriçimi.
Paraprakisht, bëhet me dije se makina drejtohej nga një 16 vjeçar, i cili edhe për shkak të moshës, nuk mund të pajiset me leje drejtimi. Ndërkohë, të pestë pasagjerët e tjerë kanë qenë kushërinjtë e tij, të moshave 12, 13, 15 dhe 16 vjeç.
Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, adoleshenti ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me shtyllën e ndriçimit, duke bërë që të gjithë të mbeten të plagosur.
Një vajzë 12-vjeçare dyshohet se ka pësuar thyerje të legenit, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë marrë fraktura në duar dhe këmbë. Edhe katër fëmijët e tjerë kanë pësuar dëmtime të ndryshme dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Për shkak të nevojës për mjekim të specializuar, gjashtë të miturit janë transportuar drejt Tiranës, në Spitalin Universitar të Traumës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes rrugore.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të miturve, ndërsa për transportimin e tyre në spitalin e Tiranës u angazhuan gjashtë autoambulanca.
