4 ditë pasi lajmi mori dhenë dhe u raportua për helmimin e 60 studentëve të Akademisë së Sigurisë, rezultatet e analizave të bëra tregojnë se kursantët nuk u helmuan nga ushqimi.
Rezultatet e analizave nga laboratori ISUV tregojnë se 14 mostrat e ushqimeve dhe 5 kampionet ambientale kanë dalë të pastra nga ngarkesa bakteriale që analizuan nga Instituti i Referencës për S. coli, Salmonelë dhe Listeria, sipas Top Channel.
Kjo është hera e dytë që kursantët e Akademisë së Sigurisë përfundojnë me të vjella e diarre gjatë ditëve të kaluara në institucion, pasi në fillim të muajit maj rreth 50 prej tyre përfunduan të helmuar. Ndërsa tani bëhet me dije se shkaku i helmimit për herë të dytë të kursantëve nuk lidhet me sigurinë ushqimore.
Ashtu siç ka raportuar dhe newsbomb.al, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 24 qershorit, ku afro 60 persona përfunduan në QSUT me të vjella e diarre, ka reaguar dhe kompania e kateringut e cila shërben ushqimin për studentët.
Në reagimin e saj kompania Sori-al hodhi poshtë pretendimet se studentët janë helmuar nga ushqimi i shërbyer, ndërsa pretendon se përkeqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore mund të ketë ardhur si pasojë e higjienës.
